Botërori i Minigolfit, në Kosovë

Federata Botërore e Minigolfit ka njoftuar se Kampionati Botëror i Minigolfit do të mbahet në Kosovë.

Sport

21/04/2015 12:27

Federata e Minigolfit e Kosovës (FMN) e ka marrë një lajm shumë të mirë të martën.

Në fakt, Federata Botërore e Minigolfit ka njoftuar se Kampionati Botëror i Minigolfit do të mbahet në Kosovë.

Pa dyshim, drejtuesit e FMN-së ndihen krenarë dhe të nderuar që ky eveniment i rëndësishëm i këtij sporti, do të mbahet në vendin tonë.

“Kemi kënaqësinë e jashtëzakonshme t’ju informojmë se Federata e Minigolfit e Kosovës, do të jetë nikoqire e organizimit të Kampionatit Botëror të Minigolfit ‘World Adventure Golf Masters 2016’”, njofton presidenti i FMN-së, Lavdim Zylfiu, raporton Zëri.

“Pas një angazhimi të madh që e kemi pasur gjatë 11 muajve të fundit, Federata Botërore e Minigolfit ka vendosur që Kampionati në sistem garues MOS (Minigolf Open Standard), sistem i cili gjendet në ambientin e Prishtinagoldit në fshatin Llapnasellë, ambient i cili do të jetë vendtakimi i Kombëtareve të ndryshme nga mbarë Bota”, vazhdoi Zylfiu, në njoftimin e tij, përcjell Zëri.

Ai ndër të tjera ka treguar se gjatë muajit maj, Federata e Minigolfit e Kosovës do ta organizojmë një konferencë për media, ku do t’i shpalos detajet rreth organizimit të këtij eventi.

Federata e Minigolfit ishte pranuar ndërkombëtarisht vite më parë, ndërsa minigolfistët kosovarë e kishin rastin të merrnin pjesë në disa evenimente ndërkombëtare të këtij sporti, ku sukseset nuk munguan.