Bosët e ‘Apex’-ave të afërt me partinë e Ramush Haradinajt, kanë në plan një tjetër biznes të madh

Qeveria e Kosovës që udhëheqet nga Ramush Haradinaj, vendosi që t'i mbyll të gjitha lojërat e fatit në Kosovë pas disa incidenteve që ndodhën kohëve të fundit. Vendimi u pa si arbitrar nga ekspertë të ekonomisë dhe të legjislacionit, duke konsideruar se paraprakisht do të duhej një debat shoqëror ose t’u jepej një afat për mbylljen e tyre pasi bizneset kishin investuar shumë.

Lajme

08/04/2019 16:21

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që drejtohet nga Ramush Haradinaj, është përfolur gjatë gjithë kohës që është e afërt me biznesmenë të fuqishëm të lojërave të fatit. Ndonëse, Qeveria mori vendim nxitimthi për mbylljen e të gjitha lojërave të fatit, biznesmenët më të mëdhenj të lojërave të fatit, të “Play4win” kanë kthyer sytë nga një rrjeti i madh biznesor të supermarketeve holandeze, brendin e të cilave po synojnë ta sjellin në Kosovë, shkruan lajmi.net.

AAK-ja kishte pranuar donacion dhe anëtari i kryesisë së saj Haki Shatri ka punuar për biznesmenin Astrit Krasniqi i cili është pronar i “Play 4win”, e i cili së bashku me vëllanë e tij Arbenin për herë të parë kishin sjellë në Kosovë “Apex”-at.

Por, duket që Astrit Krasniqi ka qenë në dijeni se ky biznes i cili u ka sjell miliona euro ndër vite, nuk do t’i ecë në vitin 2019. Ai së bashku me bashkëshorten e tij, Jeta Rukiqi e regjistruan në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve –ARBK, biznesin më të ri “SPAR KOSOVA” J.S.C. SH.A, një prej rrjeteve më të mëdha në botë i rrjeteve të marketeve me seli në Amsterdam të Holandës. Biznesi është regjistruara me datë 24 maj 2018, dhe depoja qendrore do të jetë në Prishtinë së bashku me 3 njësi tjera, për t’u përhapur pastaj edhe në vende tjera. Pronar i biznesit me 100 për qind të aksioneve është kompania “Aj Group”, me gjithsej 501, 000.00 euro kapital. Ndërkohë, po sipas ARBK-së, “Aj Group” që operon nga viti 2013 është në pronësi të Astrit Krasniqi, dhe bashkëshortes së tij, Jeta Rukiqi, ku kapital figuron të jetë 2 milionë euro.

Ndërsa, në qershor të vitit 2018, Krasniqi dhe Rukiqi kishin arritur të pajisen me licencë dhe kishin nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Spark”.

Hyrja në tregun e Kosovës e këtij rrjeti të supermarketeve holandeze është paralajmëruar tashmë edhe në faqen zyrtare http://spar-international.com/country/sparkosovo/, derisa si duket Krasniqi e Rukiqi tashmë janë duke e rregulluar edhe faqen online të kompanisë së re të tyre në Kosovë, e cila ende shihet se nuk është finalizuar: https://spar-kosova.com. Edhe pse kompania ishte licencuar në vitin e kaluar, ajo pritet të futet në treg vetëm pas shfuqizimit të ligjit për lojërave të fatit.

Astrit Krasniqi në vitin 2005 themeloi Kompaninë “Play4win” sh.p.k. Ndërkohë, ai kishte siguruar të drejtën ekskluzive dhe ishte përfaqësues i vetëm i Kompanisë Austriake “Apex” për Kosovën. “Play4win” është kategorizuar në njërën ndër korporatat më të mëdha të Kosovës, dhe bizneset e saj, sipas të dhënave të ARBK-së, shtriheshin thuajse në tërë territorit e Kosovës, si në Deçan, Kamenicë, Obiliq, Podujevë, Malishevë, Gjakovë, Gjilan, Prizren, Prishtinë, Suharekë, Pejë, Mitrovicë, etj. Por, sipas biznesit të regjistruar në ARBK, janë 60 pika në krejt vendin. Astrit Krasniqi, sipas ARBK-së është pronar edhe i “Play 4 Cash”, biznes i regjistruar në vitin 2010, që ishte i shtrirë në disa qytete të Kosovës. Vëllai i tij, Arbeni është pronar i biznesit i njohur si “Apex”, biznes të cilin e kishte themeluar në vitin 2016, ne rreth 30 pika nëpër Kosovë.

Aq të mëdha kanë qenë të hyrat nga bizneset e dy vëllezërve Krasniqi, saqë shtetit i kanë paguar tatim të deklaruar rreth 7 milionë euro në vit. Këtë e kishte thënë bashkëshortja e Astritit, Jeta Rukiqi, pas arrestimit të tyre më 30 tetor të vitit 2013  nga Eulex, ku dy biznesmenët akuzoheshin për krim të organizuar dhe detyrim.

Lidhjet e Krasniqëve me AAK-në

Gazeta JNK në shkurt të vitit 2014 kishte publikuar dy hulumtime lidhur me lidhjet e Astrit e Arben Krasniqit me politikanë të fuqishëm në Kosovë, mes të cilëve edhe me Ramush e Daut Haradinaj e Haki Shatri.

Hulumtimi i Gazetës JNK- kishte gjetur se Raporti i auditimit për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve lokale të vitit  2009, tregonte se Astrit Krasniqi kishte dhënë 5 mijë euro donacion për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës subjektin politik të udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Një hulumtim tjetër i Gazetës JNK, po ashtu zbuloi qëndrimet e ndryshme të Ramush e Daut Haradinaj lidhur me Arben e Astrit Krasniqin.

Daut Haradinaj, deputet  i AAK-së në një prononcim për një televizion në Kosovë kishte thënë se nuk beson që partia e tij kishte pranuar donacione nga vëllezërit Krasniqi.

“Nuk besoj që kanë dhënë (donacione), me ligj nuk lejohet një gjë e tillë”, kishte deklaruar Haradinaj në një emision televiziv.

Hulumtimi i Gazetës JNK, kishte gjetur se ndryshe nga Daut Haradinaj, ishte deklaruar i vëllai Ramushi. Ai në një intervistë televizive më 21 maj 2010 kishte thënë se “Po janë donatorë të partisë. Realisht edhe ‘Elkosi’ edhe ‘Dukagjini’, edhe ‘Play 4win’ … ka edhe të tjerë që janë donatorë të partisë”,

Daut Haradinaj më tej kishte shtuar se bizneset e tilla mund të operonin vetëm me mbështetjen e Qeverisë.

“Nuk mundesh me i thënë një subjekti politik që është në opozitë ti ke lidhje me ta, ose i udhëheq ata… nuk munden këto natyra të bizneseve me funksionu pa e pasur mbështetjen e qeverisë… Institucionet e Kosovës u kanë dhënë licencë dhe unë në atë kohë kam qenë në burg. Unë kur kam dalë prej burgut, ata kanë qenë të pajisur me licencë”, kishte thënë Haradinaj për JNK në shkurt të vitit 2014.

Megjithatë, nga aktakuza e rastit “APEX”, shihet se emrat e Ramushit dhe Dautit zënë vend në dhjetëra raste në transkriptet e përgjimeve mes bisedave të akuzuarve.

Profil tjetër politik që përmendet në rastin “APEX”, është edhe rasti i Haki Shatri, ish-ministër i financave nga LDK-së që më vonë kishte aderuar në AAK.

Shatri në aktakuzë përmendet se ka ndërmjetësuar në një rast, pas një problemi që disa nga të akuzuarit  e “Apex”, kishin me një person tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Shatri kishte qenë ndërmjetësues lidhur me incidentin e armatosur që kishte ndodhur në Pejë  më 1 qershor 2011.

Jeta Rukiqi, bashkëshorte dhe përfaqësuese ligjore e bizneseve të Krasniqit, kishte konfirmuar për JNK-në se Shatri ka qenë i punësuar si konsulent financiar në bizneset e lojërave të fatit.

Ajo po ashtu konfirmoi se bashkëshorti i saj njihet me liderin e AAK-së, Ramush Haradinajn.

“Njihemi familjarisht. Ne shkojmë e po ashtu edhe ata vijnë nëpër dasma e ahengje tek ne”, thoshte Rukiqi.

Një foto e publikuar në Facebook-un e saj e tregon këtë. Lideri i AAK-së është pjesëmarrës në dasmën e Krasniqit. Afër vetës ka edhe këshilltarin e tij Stiven Shuk që më herët ishte zv/kryeadministrator i UNMIK-ut.

(Haradinaj në dasmën e Astrit Krasniqit  Foto: facebook)

Dyshimet për veprime kriminale të vëllezërve Krasniqi

Ndërkohë, vëllezërit Krasniqi dhe një punëtor i tyre Arben Neziri, u arrestuan më 30 tetor të vitit të kaluar 2013 pas bastisjeve të shtatë lokacioneve të ndryshme në Prishtinë dhe në Pejë. Fillimisht ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Veprat kryesore për të cilat dyshohen të pandehurit kanë qenë krimi i organizuar dhe detyrimi.

Arben dhe Astrit Krasniqi akuzoheshin se si pronarë të lojërave të fatit “APEX”, kanë themeluar grup kriminal qëllimi i të cilit ishte përdorimi i forcës dhe kërcënimit për t’i detyruar kazinotë e tjera që të mbyllen, t’i largojnë makinat të caktuara të lojërave të fatit, ose të vazhdojnë të veprojnë sipas kushteve të cilat ishin të pafavorshme për ta. Sipas aktakuzës së prokurorit Cansick, grupi i udhëhequr nga vëllezërit Krasniqi ka kryer një varg ngjarjesh, më e hershmja prej të cilave daton më 26 korrik të vitit 2008.

Prokuroria pretendon se me datën e sipërpërmendur në një kafene në qendër të Pejës u raportua një sulm i armatosur.

Sipas aktakuzës, në këtë lokal kishte hyrë Krasniqi me tetë persona dhe pasi kishte kontrolluar numrin serik të një makine të lojërave të fatit, i kishte thënë njërit nga shoqëruesit që të thyente atë. Pas makinës së parë të thyer ishin thyer edhe tri makina të tjera.

Arben Krasniqi i intervistuar nga policia, kishte mohuar që me atë datë kishte qenë pjesë e kësaj ngjarjeje.

Për kërcënime ndaj tyre, në aktakuzë përmendet edhe një dyqan në sheshin “Shkëlzen Haradinaj” në Pejë.  Sipas prokurorisë kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 2010 dhe 2011.

Në vazhdën e incidenteve të përshkruara në aktakuzë përmendet edhe incidenti i ndodhur në një hotel të Pejës në qershor të vitit 2011 ku ndodhi një përleshje e armatosur në mes të anëtarëve të APEX/Play4win dhe Fatmir e Mehmet Kelmendit. Incident tjetër i përshkruar në akuzë është edhe shpërthimi në një Kazino, në Prishtinë në shtator të vitit 2008. Sulm dhe aparate të lojërave të fatit, sipas prokurorisë pati edhe në Kaçanik më 30 maj 2010.

Kërcënime janë raportuar edhe nga dëshmitari C, ai kishte thënë se pasi nuk kishte arritur marrëveshje për aparatet APEX, në lokalin e tij kishin filluar të vinin njerëz të armatosur që ekspozonin armët e tyre.

Aktakuza përmend edhe pesë sulme të tjera në lokale të basteve në qytetin e Pejës në mes viteve 2009-2011-të. Përpos sulmeve të evidentuara në lokalet e lojërave të fatit në Pejë, prokuroria pretendon se sulme pati edhe në qytetin e Gjakovës. Në një sulm në një lokal me 7 maj 2010, pesë persona kishin hyrë në lokal dhe i kishin thyer aparatet duke thënë “Ju nuk mund të punoni pa lejen e Krasniqëve”.

Të gjitha këto sulme sipas prokurorisë, kishin për qëllim që t’i detyrojnë bizneset apo individët e tjerë që t’i mbyllin kazinotë e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit ose të vazhdojnë të veprojnë sipas kushteve të cilat ishin të pafavorshme për ato biznese mirëpo të favorshme për kazinotë e kompanisë APEX”Play4win”.

Por, para rreth një viti, Gjykata e Apelit e mbylli rastin dhe të akuzuarit i la të lirë për fajin e prokurorisë.

Kjo gjykatë e shkallës së dytë e ka vërtetuar vendimin e shkallës se parë, të datës 30 dhjetor 2015, marrë nga  gjyqtarja Kateien Gabriel Wittenem,  duke hedhur poshtë aktakuzën kundër 11 personave të ngarkuar mes tjerash për krim të organizuar.

Në këtë vendim thuhet se “Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesë gjeti se: Ankesa e Prokurorisë speciale të Republikës së Kosovës është e pabazuar”.

Ndërsa në arsyetimin e saj thuhet se gjykata e shkallës së parë në vendimin e muajit nëntor të vitit 2017 “e pati hedhur poshtë si të palejueshme dhe të parregullt aktakuzën e prokurorisë speciale të Kosovës dhe ka pushuar procedurën penale kundër të pandehurve”.

Këtë lëndë në prill të vitit 2016, Apeli e pati kthyer në gjykim duke marrë si referencë vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës e cila kishte vendosur që aktakuza në rastin e KEK-ut në të cilën është i përfshirë Sami Lushtaku të kthehet në gjykim.

Por Gjykata Themelore në nëntor të vitit 2017 iu përgjigj asaj me hedhje poshtë të aktakuzës për shkak se Prokurori special Allen Cansick e kishte vonuar 27 ditë atë. /Lajmi.net/