“Borxhli i mbetemi shtratit elektoral të LDK-së”/ Kica-Xhelili komenton rezultatin e zgjedhjeve
Doarsa Kica-Xhelili ka falënderuar të gjithë qytetarët që e kanë votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Përmes një deklarimi, Kica-Xhelili u shpreh se ndjehet tej mase e nderuar që ka marrë besimin e 44 mijë e 110 qytetarëve, pavarësisht se gjatë fushatës nuk mund të ishte fizikisht pranë tyre. “Reflektimi i LDK-së duhet të nisë…
Lajme
Doarsa Kica-Xhelili ka falënderuar të gjithë qytetarët që e kanë votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Përmes një deklarimi, Kica-Xhelili u shpreh se ndjehet tej mase e nderuar që ka marrë besimin e 44 mijë e 110 qytetarëve, pavarësisht se gjatë fushatës nuk mund të ishte fizikisht pranë tyre.
“Reflektimi i LDK-së duhet të nisë nga potenciali ynë për rritje dhe nga përgjegjësia ndaj votuesit që beson se një LDK e fortë është e domosdoshme për shtetin. E ne, te ai votues duhet të kthehemi, t’a kuptojmë, reflektojmë, e bindim” u shpreh Kica-Xhelili, duke komentuar rezultatin e përgjithshëm të partisë.
Ajo thotë se LDK-ja ka qenë gjithmonë refleksion i demokracisë, dhe në demokraci dëgjohet secili, “paçka se jo domosdoshmërisht veprohet mbi këshillën e secilit”.
“Borxhli, i mbetemi shtratit elektoral të LDK-së, atij që e kemi, atij që e humbëm, atij që s’e kthyem, dhe atyre që kemi potencial t’i marrim për shkak të bindjeve të përbashkëta. Ky duhet të jetë misioni ynë i rikthimit” shtoi ajo.
Ky është postimi i plotë i saj:
Ishte një proces i vështirë!
Në këto rrethana, besimi i 126,102 qytetarëve ndaj LDK, dhe 44,110 ndaj meje është nder që e marr me përulësi të thellë, sidomos në një fushatë ku nuk munda të jem fizikisht pranë jush.
Por sot, ndjej më shumë përgjegjësi sesa sukses. Prandaj sot ju drejtohem me adresim më të gjatë se zakonisht.
Në kohë të vështira, tundimi për fajësim është i madh, por detyra jonë është më e lartë: sepse kur një parti që ndërtoi Republikën tonë merr goditje të tillë, roli ynë nuk është të numërojmë votat, por të kuptojmë shkaqet.
Reflektimi i LDK-së duhet të nisë nga potenciali ynë për rritje dhe nga përgjegjësia ndaj votuesit që beson se një LDK e fortë është e domosdoshme për shtetin. E ne, te ai votues duhet të kthehemi, t’a kuptojmë, reflektojmë, e bindim.
Ne mund të ndjehemi krenar me çka ofruam, por në punën që ne bëjmë, kjo është e pamjaftueshme. E këtu nisem së pari nga vetja. E natyrisht, nëse koha s’ishte në anën tonë, na takon t’a kthejmë në anën tone e jo fajësojmë pse s’është. Këtë e meritojnë pikërisht ata 126,102 vetë që na qëndruan pranë.
Humbjet ndër tjera flasin shumë për karakterin tonë, sidomos kur zhurma është e madhe e maturia e rrallë. Sidomos kur ndjenja njerëzore e reaksionit impulsiv është thuajse ngulfatëse. Prandaj na duhet pak qetësi, e maturi, deri në reflektimin final.
Rrugës do të takojmë të tillë që godasin në plagë të hapur. Edhe të tillë që duke mos qenë kurrë me LDK, e konsiderojnë të fisme t’a vijëzojnë rrugëtimin e LDK-së. Le të flasin, e le t’i dëgjojmë të gjithë.
LDK ka qenë gjithmonë refleksion i demokracisë, e në demokraci, dëgjohet secili, paçka se jo domosdoshmërisht veprohet mbi këshillën e secilit.
Borxhli, i mbetemi shtratit elektoral të LDK-së, atij që e kemi, atij që e humbëm, atij që s’e kthyem, dhe atyre që kemi potencial t’i marrim për shkak të bindjeve të përbashkëta. Ky duhet të jetë misioni ynë i rikthimit.
Edhe një gjë të mos e harrojmë, për fund: Zgjedhjet janë gjykim i një momenti, e përgjegjësia politike është gjykim i karakterit në kohë. Rrallëherë përputhen, por na takon ne t’i përafrojmë.
E derisa vullneti i shumicës duhet respektuar, forca e shumicës nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë arsyen dhe të vërtetën, e as betejën tonë për këto të fundit.
Sa më përket mua, nuk ndjek rehatinë e pushtetit, por të vërtetën që e besoj. Këtë e kam dëshmuar në kohë tejet sfiduese, përtej propagandës së skeptikëve, të cilëve s’i kam dhënë hapësirë veç për një arsye: shpesh, gjykimet, burojnë nga vlerat personale të atyre që gjykojnë. Ata s’mund t’i mundësh, sepse i ka mundur tashmë vetja e tyre, ndërkaq ne kemi përgjegjësi tjera publike.
Uroj të arrij t’iu përfaqësoj në madhështinë e besimit tuaj,
Deri në rikthimin e madh,
Mbes e juaja,
Doarsa