Borovci: Shfuqizimi i vendimit për importin e bllokave nga Serbia, i dëmshëm për prodhuesit kosovarë

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Materialit Ndërtimor nga Argjila, Mustafë Borovci, ka thënë se shfuqizimi i vendimit për masën mbrojtëse antidamping për bllokat me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia, është i dëmshëm për prodhuesit kosovarë.

Lajme

31/07/2021 11:50

Ai në Klan Kosova ka deklaruar se ky vendimi Ministrisë së Industrisë,Tregtisë dhe Ndërtimtarisë i vë në një konkurrencë me prodhuesit serbë për të cilët thotë se janë më në favor se ata kosovarë.

“Vendimi i marrë për shfuqizimin e masës për bllokat me origjinë nga Serbia është i dëmshëm përgjithësisht për ekonomin e vendit, veçanërisht për prodhuesit vendorë të këtyre produkteve, pra të bllokave të prodhuar nga argjila e pjekur”.

“Kjo na vë përballë një konkurrence të ashpër me prodhuesit e Serbisë të cilët e kanë mbështetjen nga subvencione indirekte nga ana e shtetit dhe që bëjnë një trysni të jashtëzakonshme në tregun e Kosovës”,ka thënë Borovci.

I pari i prodhuesve të bllokave nga argjila ka theksuar se derisa Serbia e kishe të ndaluar importin e këtyre bllokave për pesë vjet në Kosovë është përmirësuar më shumë situata e fabrikave.