Bllokimi i negociatave – Ballkanit Perëndimor, Macron ia hapi derën e Rusisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka hapur derën e Ballkanit Perëndimor drejt Rusisë, pasi bllokoi bisedimet për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore.

Lajme

11/11/2019 18:58

Kjo është thënë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo u kërkoi liderëve të Bashkimit Evropian që të fillojnë menjëherë negociatat e pranimit, duke argumentuar se “Rusia dhe Kina mund të mbushin boshllëkun nëse BE nuk vendoset në rajon”, transmeton lajmi.net.

Duke folur në rastin e 30 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, Von der Leyen tha se Evropa kishte kërkuar shumë nga Maqedonia Veriore dhe Shqipëria dhe se këto vende sipas saj kishin përmbushur gjithçka që kërkohej prej tyre.

“Ne duhet të mbajmë fjalën tonë dhe të fillojmë negociatat e pranimit”, tha ajo.

Leyen shtoi se nëse BE nuk e hap perspektivën e saj për vendet e Ballkanit Perëndimor, të tjerët do të mbushin atë boshllëk, si Kina, Rusia, Turqia ose Arabia Saudite.

Në një takim të fundit të Këshillit Evropian, Macron ishte i vetmi udhëheqës evropian që bllokoi negociatat me Shkupin dhe Tiranën. Po ashtu, ai arriti të bindë Holandën dhe Danimarkën që të kundërshtonin fillimin e negociatave me Shqipërinë. /Lajmi.net/