Bllokadë kushtetuese deri më 30 shtator – Fati i Qeverisë së re në duart e Gjykatës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot ka nxjerr vendimin për masën e përkohshme. Ndonëse kryetari i Kuvendit Dimal Basha a ka mbyllur seancën konstituive si të finalizuar, Kushtetuesja ka vendosur që deri me datën 30 shtator të mos veprohet asgjë në drejtim të krijimit të institucioneve të reja, meqë mund të shkaktohen dëme të…

Lajme

05/09/2025 17:51

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot ka nxjerr vendimin për masën e përkohshme. Ndonëse kryetari i Kuvendit Dimal Basha a ka mbyllur seancën konstituive si të finalizuar, Kushtetuesja ka vendosur që deri me datën 30 shtator të mos veprohet asgjë në drejtim të krijimit të institucioneve të reja, meqë mund të shkaktohen dëme të pariparueshme.

Por çfarë mund të përmbajë vendimi i ri i Kushtetueses sipas njohësve të çështjeve kushtetuese.

Naim Jakaj nga IKD thotë se masa e përkohshme ka qenë e domosdoshme për të ndalë veprimet e mëtejshme, meqë pritjet ishin që LVV ta çonte mandatarin tek Presidentja Osmani.

“Një masë e tillë e përkohshme e vendosur sot nga Gjykata Kushtetuese ka qenë e domosdoshme, në mënyrë që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme të formimit të qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit. Pritjet kanë qenë që LVV-ja të dërgojë mandatarin drejt presidentes dhe presidentja të aktivizohet që t’ia kërkojë mandatarin LVV-së”, ka thënë Jakaj.

Sipas Jakajt, ndryshimi i procedurës për votimin e nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë është shkelje e Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe praktikave të kaluara parlamentare.

Ai ka thënë për KosovaPress se me moszgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb janë cenuar garancitë kushtetuese në raport me këta të fundit.

Andaj, hulumtuesi në IKD thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të kthejë procedurën në pikën e zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë, në pako.

“Besoj se kryetarit të Kuvendit do t’i kërkohet të përsëritet votimi në pako për dy nënkryetarët nga komunitetet, në mënyrë që të kthehen garancitë kushtetuese, ashtu siç është vendosur përmes Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisarit”, deklaron ai.

Sa i përket mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, e cila ishte paraparë të mbahej të dielën, Jakaj deklaron se ajo tashmë është jorelevante, pasi presidentja nuk mund t’ia kërkojë mandatarin LVV-së, meqenëse është vendosur masa e përkohshme nga Kushtetuesja.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të dërgojë një emër për mandatar për kryeministër te presidentja, përderisa ajo t’ia kërkojë mandatarin LVV-së. Proceduralisht, presidentja nuk mund të protokollojë shkresën e dërguar nga LVV-ja edhe për arsyen e masës së përkohshme sot të Kushtetueses”, përfundon Jakaj për KP.