Bislimi takoi deputetin e Bundestagut, Mijatovic vë në dukje progresin e Kosovës

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e të Gjelbërve, Boris Mijatovic. Siç u bë e ditur në komunikatë, marrëdhëniet e shkëlqyera dhe urat e bashkëpunimit mes vendeve tona vijojnë të forcohen. Zëvendëskryeministri Bislimi e vlerësoi lartësisht…

Lajme

05/05/2023 14:30

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim deputetin e Bundestagut gjerman nga radhët e të Gjelbërve, Boris Mijatovic.

Siç u bë e ditur në komunikatë, marrëdhëniet e shkëlqyera dhe urat e bashkëpunimit mes vendeve tona vijojnë të forcohen.

Zëvendëskryeministri Bislimi e vlerësoi lartësisht rolin e Gjermanisë si partner dhe aleat kyç të Kosovës, duke theksuar me rëndësi të veçantë mbështetjen e tyre të madhe e aktive në proceset e integrimit evropian.

“Përkrahja edhe në zhvillim ekonomik e sektorë të rëndësishëm si energjia, përmes projekteve të ndryshme të mbështetjes e bashkëpunimit, veçse e komplementon kuadron e punës së përbashkët në shërbim të vizionit tonë për zhvillim e mirëqenie të të gjithë qytetarëve në çdo cep të vendit.”, u bë e ditur në komunikatë.

Deputeti Mijatovic vuri në dukje progresin e Kosovës të reflektuar në indeksin e këtij viti të Reporterëve pa Kufij (RSF), ku Kosova u rrit me 22 vende në dy vitet e fundit, si dëshmi të vlerave demokratike e evropiane të cilat i përfaqëson e jetëson Kosova. Po ashtu dhe angazhimin e Qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe punën e bërë në këtë drejtim.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi deputetin Mijatovic për disponibilitetin e tij dhe ndihmën e ofruar sa i përket agjendës së Kosovës në lidhje me rrugëtimin e tranzicionin drejt energjisë së gjelbër e të ripërtëritshme, për të cilën Qeveria mbetet e përkushtuar dhe ka miratuar dhe Strategjinë për Energji 2022-2031.