Bislimi: Përballja me pandeminë, jashtë kontrollit

Përballja me pandeminë COVID-19 ka dalur jashtë kontrollit, ka deklaruar të marten nënkryetari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi.

Lajme

07/07/2020 13:15

Ai, gjatë një konferencë shtypi ka parashikuar që ky dështim të shumëfishohet nga dëmet ekonomike, teksa u është referuar sondazheve me qytetarë.

“Të dhënat që po u ofrohen të gjitha subjekteve politike tregojnë se qytetarët më qartë se asnjëherë më parë kanë arritur ta vlerësojnë secilin subject veç e veç. Sipas raportit të fundit të vlerësimit publik, 31 për qind e qytetarëve gjatë marsit kanë menduar se gjërat në Kosovë po shkojnë në drejtimin e duhur, derisa në muajin qershor, vetëm 9.9 për qind e kanë një mendim të tillë”, ka deklaruar Bislimi.

Bislimi ka shtuar se 64.8 përqind e qytetarëve kanë qenë të kënaqur me punën e ish-kryeministrit Kurti; 76.3 përqind e qytetarëve kanë qenë të kënaqur me punën e ish Qeverisë Kurti në parandalimin e përhapjes së COVID19.

“Mbi 82 përqind kanë qenë të kënaqur me masat e ndërrmarra në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale; 58.6 përqind e qytetarëve mendojnë se duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme derisa 28.2 përqind mendojnë se nuk duhet të mbahen ato”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka përmendur një sondazh të “UBO Consulting”.

“Kë do ta votonin qytetarët nëse do të mbaheshin zgjedhjet: 52.7 përqind VV-në, 15. 9 përqind PDK-në. Sondazh më kredibil në Kosovë nuk mundeni me gjetur. Marzha e gabimit është plus, minus tre për qind”.

Bislimi ka folur edhe rreth tubimit të qershorit të LVV-së. Ka thënë se asnjë deputet e aktivist i LVV-së nuk është infektuar me COVID-19, ndonëse të gjithë kanë marrë pjesë në atë tubim.

“Nuk ka asnjë deputet të LVV-së që është infektuar e as aktivistë, përkundër që kemi qenë në tubimin e 12 qershorit”, ka thënë ai në konferencë shtypi, të marten.

Bislimi ka thënë se Qeveria duhet të merret me virusin, e jo me fajësime.

“Deputetet, përfaqësuesit politikë që janë të infektuar, asnjëri nuk është nga LVV, por nga subjekti që ka bërë thirrje të mos dilet në tubim. Ne patëm leje… nëse dikush duhet të fajësohet, atëherë është kjo qeveri, e cila i ka relaksuar masat. Se, nëse do t’i ashpërsonte masat, atëherë tubimi nuk do të ndodhte”, ka thënë Bislimi.