BIK-u tregon pse nuk pati lutje për viktimat e grusht shtetit në Turqi

Bashkësia e Islame e Kosovës (BIK), nuk  organizoi  asnjë ceremoni lutjeje fetare për viktimat në Turqi. Gjatë tentim grusht shtetit atje,  mbi 260 persona u vranë e mijëra të tjerë u plagosën.

Lajme

24/07/2016 09:25

Por për drejtuesit e BIK-ut,  kjo është një çështje e brendshme e Turqisë dhe se Kosova nuk ka të bëjë asgjë me këtë çështje.

Ata thanë se nuk kanë nevojë të organizojnë lutje në xhamitë e vendit, vetëm pse ndonjë shtet tjetër ka vepruar në këtë mënyrë.

Një prej këtyre vendeve është Maqedonia. Besimtarët islam në Maqedoni, me organizimin e Bashkësisë Islame të këtij vendi, javën që kaloi, bën lutje në xhami për viktimat në Turqi, të vrarë nga puçistët.

Lutjet e së premtes atje u organizua falja e namazit të xhenazës në mungesë, ndërsa një ditë më parë, është lexuar hatme (lutje), për të vdekurit e 15 korrikut.

Sabri Bajgora,  kryeimam në   Bashkësinë Islame të Kosovës,  tha për lajmi.net se  organizime të tilla nuk ka pasur e as nuk do të ketë në Kosovë.

“Nuk ka pasur asnjë organizim të ndonjë ceremonie fetare për këtë çështje”, thotë Bajgora për lajmi.net.

Sabri Bajgora, kryeimam në BIK

Por ai sqaron se BIK-u ka organizuar lutje një të premte gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit për viktimat e sulmit terrorist që ka ndodhur në Aeroportin e Stambollit.

Sipas tij,  këto dy raste dallojnë. Sa i përket tentim grusht shtetit, ai deklaron se kjo ka qenë një çështje politike dhe e brendshme e Turqisë.

“Kjo çfarë ndodhi,  është çështje politike dhe e brendshme e Turqisë, që ne s’kemi pse të përzihemi”, thotë Bajgora.

Përndryshe, tentimin për grusht shtet në Turqi i kanë dënuar edhe liderët e ndryshëm botërorë. Ndërkohë, vala e arrestimeve dhe dënimeve në Turqi ka qenë e fortë.

Aktualisht me vendim të Parlamentit turk, vendi është në gjendje të jashtëzakonshme për tre muajt e ardhshëm./lajmi.net