Bie çmimi i derivateve për katër cent në Kosovë- si rrallë herë, ditët në vazhdim çmimi pritet të ulet në 1 euro
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendimin që rregullon çmimet dhe vendos masa mbrojtëse për produktet e natës, të përdorshme në transport. Në njoftimin e MINT-it u bë e ditur se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se,…

Lajme
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendimin që rregullon çmimet dhe vendos masa mbrojtëse për produktet e natës, të përdorshme në transport.
Në njoftimin e MINT-it u bë e ditur se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi të produkteve të naftës.
Sipas këtij vendimi përcaktohet marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në 2 eurocentë për litër, dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në 12 eurocentë për litër.
Përpos kësaj ndikim së fundi në ndryshimin e çmimeve të derivateve në thuajse gjithë botën pati edhe vendosja e tarifave nga presidenti amerikan Donald Trump.
E tashmë rënia e çmimit të derivateve ka filluar të vërehet edhe në Kosovë.
Nga mbi 1 euro e gjysmë sa ishte litra e derivateve para pak ditëve, sot pati një rënie të çmimit në 1 euro e 18 cent për dizel.
Çmimet e dizelit luhaten mes 1.18 dhe 1.29 euro, ndërkaq ato të benzinës mes 1.19 dhe 1.28 euro.
Në lidhje me këtë Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, ka thënë se që nga dje ka zbritje për katër cent në produktet e naftës.
Sipas Berjanit në kuadër të këtij ritmi, pritet që çmimet të bien deri në 1 euro.
“Prej djeshit ka zbritje për 4 cent. Tarifat e Trampit ulin çmimin e naftës dhe kjo ka reflektu në Kosovë, ku gjasat janë që 1 litër dizell të kushtoj 1 euro”, ka thënë Berjani për lajmi.net.
Po ashtu ai ka thënë se aktualisht çmimet në tregun kosovar për produktet e naftës janë si më poshtë:
Diesel 1.18cent deri 1.29 cent,
Benzinë 1.19cent deri 1.28 cent.
“Ndryshe çmimet në tregun kosovar përafërsisht sillen: Dizel 1.18cent deri 1.29 cent, Benzinë 1.19cent deri 1.28 cent. Ndërkaq çmimet e derivateve në Shqipëri, diezel 1.89 cent dhe benzina 1.88 cent. Ndërkaq në Serbi dizeli 1.78. cent dhe benzina 1.79 cent”, thotë i pari i kësaj shoqate.
Berjani shprehet se gjendja ekonomike në të cilën ndodhet Kosova çmimin më real dhe të përballueshëm për qytetarët do ta kishte 1 euro, por që një gjë e tillë mbetet të shihet në ditët në vijim.
Por se sipas tij e gjithë kjo nuk varet nga qeveria dhe as nga shoqata e naftëtarëve po varet nga berza dhe organizata prodhuese OPEC.
“Për gjendjen ekonomike çfarë e kemi në Kosovë çmimi real kishte me qenë 1€ Po kjo nuk varet nga qeveria dhe as nga shoqata e naftëtarëve po varet nga berza dhe organizata prodhuese OPEC”, ka përfunduar Berjani.
Ndërkaq në vendin tonë shpesh herë qytetarë iu vështirësua gjendja ekonomike edhe si shkak i çmimeve tejet të larta- përfshirë këtu furnizimin me derivate. Madje në Kosovë çmimet në shumicën e rasteve janë shumë të larta e të vendosura kësisoj nga vetë kompanitë e derivateve. /Lajmi.net/