Betim ose Ndëshkim

Eksperti i pushtetit lokal, Besnik Tahiri, thotë se konstituimi i Komunave në Veri pa i respektuar Ligjet dhe Simbolet e Kosovës është i kundërligjshëm. Nëse s'ndodh betimi ashtu siç e përcakton Ligji, atëherë ai thotë se duhet të ndërmerrën masa ligjore.

Lajme

10/01/2014 06:04

Kryetarët e Komunave me shumicë serbe në Veri s’kanë mundësi të funksionalizojnë qeverisjet lokale duke qenë neutrale ndaj statusit.

Eksperti i pushtetit lokal, Besnik Tahiri, thotë se të vetmet ligje të aplikueshme për vetëqeverisje lokale në vend janë ato që derivojnë nga plani i Ahtisarit.

Kryetari i sapozgjedhur i Veriut të Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka deklaruar më parë se në mbledhjen konstituive s’do të ketë simbole të shtetit të Kosovës, por se do të veprojnë mbi bazën e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

Por, një logjikë e tillë kundërshtohet nga Besnik Tahiri. Ai thotë për lajmi.net se këta Kryetarë Komunash nuk kanë tjera ligje të cilat do të mund t’i zbatonin.

“Së pari, Ligjet e 1244 nuk ekzistojnë. Ju rikujtohet se kur e kemi përmbyllur pavarësinë e mbikëqyrur, ne lëre se i kemi modifikuar ligjet e 1244, por ne e kemi zëvendësuar gjithkund edhe rolin e ICO’së të asaj kohë në Kushtetutën tonë”.

“Ligjet që e rregullojnë pushtetin lokal në Kosovë janë Ligje që derivojnë nga Ahtisari. Është Ligji për Vetëqeverisje Lokale, Ligji për Financa Lokale, Ligji për Bashkëpunim Ndërkomunal, që kanë dalë nga Pakoja e Ahtisarit e që tash janë Ligje të Kosovës”.

“Në qoftë se nuk ndodh betimi ashtu siç e përcakton Ligji, Ministria e Pushtetit Lokal duhet t’ia notifikojë Kryetarit që e ka bërë betimin e kundërligjshëm, të njëjtën kohë Ministria duhet ta raportojë këtë edhe në Qeveri dhe atëherë vendos Qeveria si do ta trajtojë”.

“Por, edhe partitë politike mund ta adresojnë në Gjykatë këtë çështje, në qoftë se konstatohet se ka shkelje të ligjit, pasi atëherë ai Kryetar është jolegjitim për shkak se është betuar në kundërshtim me ligjin”.

Besnik Tahiri

 

Tahiri shpreh shqetësim për funksionimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, pasi që disa prej tyre tashmë kanë filluar punën në përputhje me ligjet dhe simbolet e Kosovës, ndërsa 4 Komunat në Veri ka mundësi që të injorojnë shtetësinë.

Ai thotë se kjo bashkësi mund të jetë e paligjshme, nëse brenda saj do të ketë Komuna që nuk respektojnë rregullat shtetërore.

“Në raport me Bashkësinë tash, kjo është temë më problematike. Për shkak se nëse ne i kemi së paku katër Komuna të cilat betimin dhe konstituimin e kanë bërë në kundërshtim me ligjin, atëherë i kundërligjshëm është edhe vetë asociacioni”.

“Asociacioni nuk është etnitet në vete, është etnitet në të cilin në Kuvendin e vet përfaqësohen Komunat të cilat janë anëtare të asociacionit, ndërsa Bordin e udhëheqin Kryetarët e Komunave të Veriut”.

“Pra, realisht ka të bëjë me një institucion të kundërligjshëm dhe për këtë arsye është jashtëzakonisht e rëndësishme që paraprakisht kjo të parandalohet dhe paraprakisht kjo t’u bëhet me dije këtyre Kryetarëve”.

Tahiri shqetësim të madh e konsideron krijimin e Fondit Zhvillimor për Veriun.

“Kjo është tema më e ndjeshme, që duhet të trajtohet, për shkak se jemi duke folur për një fond, burimi kryesor i të cilit është në pikën 1 dhe 31 të zhdoganimit”.

“Dihet se kemi një shkëmbim të madh të mallrave me Serbinë dhe në qoftë se shumica e mallrave zhdoganohen pikën 1 dhe 31, atëherë ky fond realisht do të jetë goxha i madh, që nënkupton do të ketë disproporcion me çka kanë Komunat tjera”.

“Kjo është pak më diskutabile për shkak se Ligji i Buxhetit të konsoliduar të Kosovës i përcakton edhe vijat buxhetore investuese, të investimeve kapitale për secilën Komunë”.

“Mirëpo, ky fond unë pres që të jetë relativisht i madh me qenë në disproporcion me komunat tjera dhe që realisht do të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik, në akademi në aspektin studimor kur flasim për decentralizimin si probleme themelore”.

“E para, është kur disproporcion fiskal, kur një pjesë është shumë më e madhe edhe ka mjete më të mëdha se Komunat tjera. Dhe, e dyta është tendenca e ndarjes”.

“Në këtë kuptim ne duhet të kemi shumë kujdes se si e trajtojmë negocimin ose kompromiset për krijimin e këtij buxheti”.