Besimi për Prishtinën

Isa Mustafa prezantoi kandidatët e LDK’së për Asamblenë Komunale të Prishtinës. Edhe kësaj radhe, ai foli me besim të plotë për fitore në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Lajme

24/09/2013 18:09

Isa Mustafa po vazhdon të ecën në rrugën paraelektorale me një besim të madh se pas datës 3 nëntor do të ketë vetëm një fitues – Lidhja Demokarike e Kosovës.

LDK, të martën pasdite, ka bërë prezantimin e kandidatëve për Asamblenë Komunale të Prishtinës dhe lideri i saj është shprehur i bindur në fitoren e kësaj partie në shumicën e Komunave të Kosovës, përfshirë Prishtinën.

Mustafa ka ftuar të gjithë kandidatët që të zhvillojnë së bashku një fushatë pozitive.

“Presim dhe jemi të bindur që ju jeni ata që nesër me përgjegjësinë më të madhe do ta merrni këtë detyrë, do ta fitoni besimin e qytetarëve të Prishtinës dhe atë besim pastaj do ta shndërroni në një akt pozitiv të zgjidhjes së interesave problemeve dhe kërkesave të tyre.”

“Dëshiroj t’ju ftoj që bashkërisht të punojmë dhe nga data 3 të zhvillojmë një fushatë positive, me të cilën qytetarëve do t’ju tregojmë se çfarë do t’ju ofrojmë gjatë 4 vjetëve të ardhshme.”

“Do të kontaktojmë çdo qytetar, të bashkëbisedojmë dhe ta marrim besimin e tyre.”

“Ne kemi besimin e plotë se si LDK do të kemi besimin e plotë të qytetarëve të Prishtinës, por prapëseprapë presim se sa do të jetë ky besim pas votimit me datë 3 nëntor të këtij viti.”