Besa Ismaili flet për angazhimin e saj në politikë, mbulesën, lëndën fetare në shkolla dhe kandidimin për deputete

Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismaili ka dhënë një intervistë për lajmi.net ku ka folur rreth karrierës së saj, angazhimit në politikë dhe çështjeve të ndryshme.

Lajme

01/10/2019 19:40

Ismaili për lajmi.net ka treguar se veprimtaria e saj lidhet me përgatitjen e saj akademike ku ka përfunduar studimet e gjuhës dhe letërsisë angleze dhe është marrë me publikime të shumta në fushat përkatëse, e gjithashtu edhe në politikë, religjion e shoqëri.

Besa Ismaili ka potencuar gjithashtu se do të mbetet e angazhuar në kauzat ekzistuese të cilat i mbështetë dhe nëpërmjet politikës ajo synon t’i përmbyllë me sukses.

Duke folur për programin politik qeverisës të PDK-së është shprehur se ka pika jashtëzakonisht të mira, por ajo ka përmendur disa prej tyre.

“Pikat të cilat mua më lidhin më tepër është arsimi, cilësia në arsim, lufta kundër korrupsionit, gjithë-përfshirja dhe mundësitë e barabarta”, tha Ismaili.

Ismaili ka folur edhe rreth ligjeve ekzistente në Kosovë duke thënë se në letër ligjet janë të mira, por “nuk na bien taman” si shoqëri.

Besa Ismaili ka potencuar se do të jetë zëri i qytetarëve të Mitrovicës pasi i sheh si pjesë të mbetur në një podium të pabarabartë me të tjetrët.

Ajo ka folur edhe rreth shamisë, duke thënë se shamia nuk është ndonjë çudi për njerëzit rreth saj.

YouTube player

“Ka disa çështje kur flasim për gratë me mbulesë. Nuk do të duhej t’i shtronim pyetjet në këtë mënyrë. Unë jam munduar t’i thyej muret e paragjykimeve gjatë punës time, mendoj se kam pasur sukses por jo vetëm unë, por edhe shumë vajza të tjera të Kosovës”, tha Ismaili më tutje.

E duke folur rreth mbajtjes së mbulesës në shkolla, Ismaili ka thënë se politikanët të cilët kanë qenë kundër mbajtjes së mbulesës mund të kenë qëndrime personale, por sipas saj, nuk duhet të ketë qëndrime partiake karshi kësaj çështje.

“Njerëzit kanë bindjet e veta, është me rëndësi që bindjet e tyre mos t’i rrezikojnë bindjet e të tjerëve”, tha Ismaili.

E për futjes së lëndës fetare në shkolla, ajo është shprehur se do të jetë gjithmonë pro idesë që njerëzit të njohin fetë, pasi në këtë kohë është e nevojshme edhe për njerëzit që nuk janë jo-fetar.

Për kandidatin për kryeministër nga PDK-ja, Kadri Veseli, Ismaili është shprehur se ka shumë përparësi për shkak të lidershipit të tij dhe për gjithë “backgroundin” e tij në luftë dhe në paqë.

Këto deklarata të zgjeruara të kandidates për deputete Besa Ismaili dhe diskutime për çështje të tjera me rëndësi mund t’i ndiqni në intervistën e plotë në videon e mëposhtme: