Berlini, adresa kryesore e Kosovës Europiane
Ministrat Hoxhaj dhe Steinmeier kanë biseduar në Berlin për proceset në Kosovë, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e agjendës integruese europiane dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/media/image/201403/full/berlin.jpg)
Lajme
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, ka filluar sot një vizitë dy ditore në Republikën Federale të Gjermanisë, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier.
Dy ministrat kanë biseduar për proceset në Kosovë, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, avancimin e agjendës integruese europiane dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral.
Me këtë rast, ministri Steinmeier kujtoi rrugëtimin e përbashkët drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kur ai ishte ministër i Jashtëm, derisa ministri Hoxhaj pjesë e delegacionit të Kosovës në Vjenë.
“Jam shumë i lumtur që sot prita ministrin Hoxhaj dhe tashmë kemi lënë takimin e radhës në Prishtinë. Ne kujtuam vitet e shkuara, unë në rolin e ministrit të Jashtëm, ku së bashku kemi përcjell rrugëtimin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ne, si Qeveri gjermane jemi shumë të angazhuar në Kosovë. Sot sigurova ministrin Hoxhaj që angazhimi ynë në Kosovë nuk do të përfundoj por ne do të mbështesim rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, theksoi Steinmeier.
Ai falënderoi ministrin Hoxhaj për guximin dhe vizionin që Kosova ka treguar në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas ministrit gjerman kjo është rruga e duhur që Kosova ka ndjekur.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj falënderoi ministrin Steinmeier për kontributin e tij personal dhe angazhimin e Gjermanisë gjatë procesit të pavarësimit dhe fuqizimit të shtetësisë së Kosovës.
Hoxhaj kërkoi vazhdimin e mbështetjes gjermane, sidomos në përmbylljen e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian si dhe për procesin e liberalizimit të vizave.
“Berlini mbetet adresa më e fuqishme në rrugën europiane të Kosovës”, theksoi Hoxhaj. Ministri Enver Hoxhaj tha se angazhimin e fuqishëm të Republikës së Kosovës për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë.
Hoxhaj falënderoi Gjermaninë për mbështetjen në procesin e njohjeve dhe anëtarësimit në sistemin ndërkombëtar si dhe për kontributin gjerman në proceset tjera.
Gjatë ditës ministri Hoxhaj zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të ndryshëm institucional dhe të jetës publike në Berlin, thuhet në komunikatën e MPJ’së.