Berisha: Thaçi dhe të tjerët po përballen me standardet më të panjohura në historinë e tribunaleve deri më sot

Avokati, Besnik Berisha, ka thënë se ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që gjendet në dhomat e paraburgimit në Hagë, bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, po përballen me standarde të panjohura deri me sot.

Lajme

19/05/2022 22:07

Ai tha se, standardet me të cilat përballet Thaçi dhe të tjerët nuk i një historia e asnjë nga tribunalet deri me sot, shkruan lajmi.net

“Thaçi dhe të tjerët janë duke u përballur me standarde të pa lexuara të pa shkruara të pa njohura në asnjërën nga historitë e këtyre tribunaleve deri më sot”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

Tutje, për rastin e Gucatit dhe Haradinajt, tashmë të dënuar nga Gjykata Speciale, Berisha tha se ata janë viktima pasi janë këshilluar keq.

“Gucati dhe Haradinaj janë viktimë e juristëve të cilët i kanë këshilluar keq. U kam thënë që dalja me lista siç dilnin atëherë, është e kundërligjshme”, shtoi avokati.

Sa i përket intensifikimi të punës se Speciales, Berisha tha se, duhet parë me shqetësim.

“Intensifikimi punës duhet të merret si shqetësim, por në anën tjetër është e vetmja rrugë. Ata do të përpiqen të bëjnë gjithçka. Kur them ata, Smithi me të tjerët do të përpiqet të bëjë gjithçka sepse, përveç skandaleve në rrjedhjen e informacioneve, kanë pasur edhe prokuror në kuadër të kësaj gjykate, madje prokurori i cili ka qenë i ngarkuar me çështjen Thaçi, ka qenë prokurori që kurrë në jetë e vetë nuk ka intervistuar të pandehur në procedurë”, vijoi tutje ai.

Me tej, ai tha se shqetësimi është tek fakti që, sipas tij, po tentohet që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të faktohet si një ndërmarrje e përbashkët kriminale.

“Përderisa po luftohet për ta faktuar që UÇK-ja është një ndërmarrje e përbashkët kriminale, në anën tjetër të gjitha krimet që janë pranuar edhe nga liderët e ushtrisë edhe nga komandat e kanë pranu që kanë ndodhë gabime. Sot task forca e Prokurorisë Speciale ka një qëllim për ta faktuar që struktura ishte vertikale dhe jo horizontale siç është parashtruar, pra ata po punojnë natë e ditë për ta faktuar  që UÇK-ja ka qenë një ndërmarrje e përbashkët kriminale, ky është shqetësimi”, përfundoi Berisha.