Berisha nga Napoli: Diaspora po vjen, Rama i ka ditët e numëruara
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me emigrantët shqiptarë në Napoli, ku theksoi rolin e diasporës në zgjedhjet e 11 majit. Gjatë fjalës së tij, ai u bëri thirrje emigrantëve që të mbështesin koalicionin “Shqipëria Madhështore”, duke e cilësuar këtë proces si vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë. “Jeni krenaria e…

Lajme
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me emigrantët shqiptarë në Napoli, ku theksoi rolin e diasporës në zgjedhjet e 11 majit. Gjatë fjalës së tij, ai u bëri thirrje emigrantëve që të mbështesin koalicionin “Shqipëria Madhështore”, duke e cilësuar këtë proces si vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë.
“Jeni krenaria e vërtetë kombëtare”, tha Berisha para pjesëmarrësve. “Po shkojmë drejt raundit të fundit të betejës sonë. Kanë mbetur vetëm 50 ditë, 50 ditë vendimtare për shpëtimin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë.”
Duke iu referuar rëndësisë së votës së diasporës, Berisha deklaroi se ky vit do të jetë një pikë kthese:
“Kam deklaruar me bindjen më të thellë se ky vit është viti i diasporës shqiptare. Do jenë shqiptarët nga jashtë ata që do të shpëtojnë Shqipërinë.”
Me tone të forta, ai lëshoi akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama:
“Prite, Edi Rama, se diaspora po vjen! Po vjen të shpëtojë mëmëdheun! Po vjen t’i dalë zot Shqipërisë, për ta shpëtuar nga regjimi që do ta kishte lakmi Totrino, Escobari dhe El Chapo! Rama, ditët e tua janë të numëruara.”
Berisha e akuzoi qeverinë se ka shkatërruar ëndrrat e shqiptarëve, duke i detyruar ata të largohen nga vendi:
“Ti, Edi Rama, shkatërrove njëra pas tjetrës ëndrrat më të bukura dhe më fisnike të shqiptarëve! Por tani, diaspora po vjen për t’i dhënë fund këtij regjimi.”
Berisha u bëri thirrje emigrantëve që të angazhohen në zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar se vota e tyre është vendimtare për të sjellë ndryshimin.