Belgjika e para, debuton Januzaj

Adnan Januzaj debutoi në Kampionatin botëror, derisa Belgjika mposhti Korenë e Jugut me rezultat 1:0, dhe e mbylli Grupin H me bilanc perfekt prej nëntë pikësh.

Sport

27/06/2014 00:53

Adnan Januzaj e shijoi Kampionatin botëror në Brazil, duke u inkuadruar në formacionin bazë të Belgjikës për ndeshjen kundër Koresë së Jugut, e fundit në kuadër të Grupit H.

Dhe, 19-vjeçari i ndihmoi skuadrës së tij që të shënojë fitore 1:0, për bilanc perfekt prej nëntë pikësh. Januzaj nuk është se shkëlqeu me paraqitjen e tij, derisa selektori Marc Wilmots e zëvendësoi pas një ore lojë.

Por, nga fundi i pjesës së parë Belgjika ishte me një futbollist më pak pas përjashtimit të Steven Defour.

Belgët prapë fituan me golin e qendërmbrojtësit Jan Vertonghen në minutën e 78-të. Belgjika e fitoi grupin me nëntë pikë, kurse Koreja e Jugut u eliminua me një pikë.