Bekim Jashari dhe Ramiz Lladrovci ngushëllojnë Familjen Haradinaj: Mbahuni të fortë

9:37 | 17 Qershor 2018

Sot, me rastin e vdekjes së Hilmi Haradinajt, prindit të heronjve të kombit Luan dhe Shkëlzen Haradinaj, si dhe kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetit Daut Haradinaj, kryetari i Skënderajt dhe Drenasit, Bekim Jashari dhe Ramiz Lladrovci, kanë ngushëlluar Familjen Haradinaj.

I prekur thellë nga vdekja e Hilmi Haradinajt, në rrjetin social, Bekim Jashari ka shkruar:

“Ngushëllime Familje Haradinaj! Sot, me dhimbje të thellë e pranova lajmin e rëndë se në mesin tonë nuk është më Baca Hilmi. Baca Hilmi, ishte një shembull i prindit të pathyeshëm, me vendosmërinë e pamposhtur për qëllimet më fisnike dhe më të sinqerta në shërbim të atdheut. Qëndrimi i tij burrëror, përball sfidave, e cilësuan atë si prind me fuqi të jashtëzakonshme morale e patriotike, duke na dhënë fuqi për të përballuar sfidat që sjell jeta. Sot, dhimbjes dhe humbjes së madhe për Familjen Haradinaj dhe kombin shqiptar i bashkohem me respektin e përjetshëm për jetën dhe veprën e Bacës Hilmi! Lavdi jetës dhe veprës së Hilmi Haradinajt!”

Ndërsa në profilin e tij, Ramiz Lladrovci ka shkruar:

“Mbahuni të fortë Familje Haradinaj! Sot, na preku thellë lajmi i trishtueshëm se Hilmi Haradinaj, u nda nga ne fizikisht. Është lajm i pabesueshëm sepse, Baca Hilmi përballoi goditje të rënda dhe kurrë nuk u përkul, duke shpresuar se edhe kësaj here, në këtë betejë, do të dalë i papërkulur. Shpresoja sepse Ai ishte shembull se si bëhet qëndresa. Në këtë ditë të rëndë për secilin nga ne që u prit e përcoll nga Baca Hilmi, që mori këshilla dhe u ushqye me bukën e tij, ky lajm i rëndë është edhe i papranueshëm. Me rastin e kësaj humbje të pakompensueshme për Familjen e madhe Haradinaj, Kosovën dhe Kombin shqiptar, shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta! I përjetshëm është kujtimi për Hilmi Haradinajn!”