Begaj: Nuk po bisedojmë me asnjë parti, do dalim fitues të balotazhit në Malishevë
Kandidati për kryetar të Malishevës nga Nisma për Kosovën, Ragip Begaj, në zgjedhjet lokale ka marr 41.03 për qind të votave nga qytetarët, duke mos marr besimin e plotë të qeverisë me këtë komunë.
Lajme
Begaj do të përballet edhe me një raund të zgjedhjeve ku kundërshtar do ta ketë Mursel Gashin e Partisë Demokratike të Kosovës, i cili mori 27.56 për qind të votave.
Mirëpo, çfarë ka bërë Nisma pas zgjedhjeve, a po përgatitet për balotazh? Begaj i tha lajmi.net se deri më tani nuk kanë biseduar me asnjë parti, por po merren vetëm me qytetarët ku po zhvillojnë takime nëpër gjithë komunën.
“Ne drejtpërdrejt merremi me qytetarët, nuk kemi marrëveshje me asnjë parti së paku deri më tani jo, tash të shohim si do të rrjedhin gjërat tani e tutje të shohim”, deklaroi ai.
Kryetarit aktual i Malishevës, u shpreh i bindur se do të dalin fitues në balotazh dhe do ta udhëheqin komunën edhe për katër vitet e ardhshme.
“Besoj se do të jemi përsëri fitues, kam besim të plotë tek qytetarët e Komunës së Malishevës, mirëpo të shohim pas balotazhit”, tha Begaj.
Gara për balotazh në komunat e Kosovës do të mbahet më 19 nëntor. /Lajmi.net/