BE zbeh shpresat e kosovarëve për liberalizimin e vizave

Pas mosarritjes së konsensusit në Bashkimin Evropian për t’i hapur negociatat me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, një gjë e tillë pritet të ulë pritshmëritë e “evropianëve të rinj”, të kosovarëve drejt ëndrrës së tyre euroatlantike.

Lajme

21/10/2019 09:28

Javën që lamë pas shtetet e Bashkimit Evropian i thanë “Jo” nisjes së negociatave të anëtarësimit me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndonëse në tryezën e bisedimeve mbizotëruan zërat se këtyre dy shteteve duhej dhënë përgjigje pozitive.

E derisa BE-ja vazhdon të ketë një numër të lartë kërkesash ndaj Kosovës, ku mbizotëron ajo për arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë, shtetet anëtare të këtij unioni po vazhdojnë të mos unifikohen sa i përket heqjes së vizave të Kosovës. Kosovarët po vazhdojnë të mbahen të izoluar, ndonëse zyrtarë të BE-së u kishin premtuar atyre se me t’u arritur Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e zi do të hiqeshin edhe vizat.

Ekspertë të integrimeve vlerësojnë se mosunifikimi i BE-së për t’i hapur bisedimet me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, si dhe mosdakordimi i tyre për heqjen e vizave për Kosovën shpërfaq mungesën e vullnetit të shteteve anëtare për të përkrahur zgjerimin e mëtutjeshëm të BE-së, qoftë në kuptimin e procesit të anëtarësimit, qoftë të heqjes së vizave.

Pritshmëritë e kosovarëve për heqjen e vizave vazhdojnë të zbehen dita-ditës. Ndonëse zyrtarë të BE-së kishin deklaruar se pas arritjes së Marrëveshjes të Demarkacionit me Malin e zi, e cila u nënshkrua në mars të vitit që lamë pas, do t’i çgetoizonte kosovarët, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Ditë më parë Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë në një përgjigje dhënë “Zërit” ka rikonfirmuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe rrjedhimisht është koha e duhur që kosovarëve t’u hiqen vizat.

Ata gjithashtu vlerësojnë se Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet e saj për ta forcuar sistemin e drejtësisë.

“Procesi i vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën po vazhdon. Siç tha përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini gjatë takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Helsinki, Komisioni Evropian i ka sugjeruar Këshillit që ka ardhur koha për të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ajo me këtë rast shtoi se tani i takon Këshillit ta marrë atë vendim, duke shprehur besimin se është koha e duhur që populli i Kosovës të marrë liberalizmin e vizave”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre.

Mirëpo derisa heqja e vizave të ndodhë Zyra e BE-së ka theksuar se Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet për sundimin e ligjit, të sigurisë dhe të migracionit.

“Siç e dini, raporti i Kosovës për vitin 2019 e ka përsëritur mbështetjen e Komisionit Evropian për përfundimin e këtij procesi si çështje urgjente. U takon shteteve anëtare të BE-së, të përfaqësuara në Këshillin e BE-së, së bashku me Parlamentin Evropian, të marrin vendimin përfundimtar. Ndërkohë është e rëndësishme që Kosova t’i demonstrojë përpjekjet e saj të vazhdueshme për sundimin e ligjit, për të pasur nën kontroll migrimin dhe sigurinë, në mënyrë që të përgatisë një kontekst pozitiv për vendimin përfundimtar të shteteve anëtare të BE-së”, thuhet më tutje në përgjigjen e tyre.