BE ‘kundër’ dozës së tretë, paralajmëron pasoja ligjore
Sipas REL, ndonëse disa vende anëtare të bllokut kanë skema kompensimi që synojnë dëmshpërblimin e viktimave të mundshme jashtë gjykatave, kriteret për rimbursimet ndryshojnë shumë.
Fun
Vendet e Bashkimit Europian që rekomandojnë dozë shtesë të vaksinës kundër koronavirusit, mund të përballen me pasoja ligjore paralajmëron BE-ja.
Arsyeja gjendet tek fakti që një dozë përforcuese ende nuk është miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA). Agjencia e ka përsëritur vazhdimisht se duhet të ketë më shumë të dhëna përpara se t`i japë dritën jeshile dozës së tretë.
Deri më tani tetë vende evropiane kanë rekomanduar vaksinimin me një dozë shtesë dhe disa të tjera pritet të marrin të njëjtin vendim. ”Dozat përforcuese aktualisht nuk janë pjesë e autorizimit të vaksinave për COVID-19 dhe ende nuk i janë nënshtruar një vlerësimi shkencor nga EMA në mungesë të të dhënave të mjaftueshme”, thuhet në një deklaratë të Komisionit Europian, të cituar nga Reuters.
KE-ja u shpreh se vendet anëtare mund të vendosin vetë për një rekomandim të tillë, por i tërhoqi vëmendjen se ato do të mbajnë pas kësaj barrën e çdo pasoje ligjore dhe kërkesave për kompensim, në rast se dikush ka efekte anësore të papritura. Komisioni e bëri gjithashtu të qartë se edhe kompanitë do të kenë përgjegjësi nëse dozat shtesë administrohen pa miratimin e EMA-s.
Sipas REL, ndonëse disa vende anëtare të bllokut kanë skema kompensimi që synojnë dëmshpërblimin e viktimave të mundshme jashtë gjykatave, kriteret për rimbursimet ndryshojnë shumë. /Lajmi.net/