BE kërkon qasje të re për Asociacionin, Orav: Duhet të gjejmë mënyra për ta shtyrë përpara këtë çështje
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka folur së fundmi për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo temë vazhdon të mbetet një obligim i pashmangshëm në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi. Në një bashkëbisedim me gazetarë, Orav rikujtoi se qëndrimi i BE-së prej kohësh ka qenë…
Lajme
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka folur së fundmi për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo temë vazhdon të mbetet një obligim i pashmangshëm në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.
Në një bashkëbisedim me gazetarë, Orav rikujtoi se qëndrimi i BE-së prej kohësh ka qenë që draft-statuti i Asociacionit të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, transmeton lajmi.net.
Megjithatë, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur, pasi është argumentuar se Gjykata nuk ka kompetencë për ta trajtuar këtë çështje.
Diplomati estonez nënvizoi se mbajtja e një qëndrimi të tillë për një kohë të gjatë nuk është produktive nëse dihet paraprakisht se nuk do të ketë ndryshim në këtë drejtim. Ai sugjeroi se është e nevojshme të gjenden forma të reja për të ecur përpara me këtë proces.
Orav theksoi gjithashtu se qëndrimi i BE-së, i reflektuar edhe në deklaratat e emisarit Peter Sorensen, është që Asociacioni duhet të realizohet në bashkëpunim me komunitetin serb dhe në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Ai bëri të qartë se pavarësisht kohës së zbatimit, Asociacioni mbetet pjesë e detyrimeve të dakorduara dhe është i njohur si i tillë nga të gjitha palët – Kosova, Serbia dhe Bashkimi Evropian.
“Bashkimi Evropian e ka mbajtur këtë qëndrim për një kohë mjaft të gjatë që ky draft i Asociacionit së duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Ai nuk është dërguar ende. Gjykata Kushtetuese tha gjithashtu se në fakt ata nuk kanë çfarë të bëjnë sepse nuk kanë autoritet ta vlerësojnë atë. Dhe ky qëndrim u mbajt për një kohë mjaft të gjatë. Përsëri, ne mund ta mbajmë këtë qëndrim për një kohë shumë, shumë, shumë të gjatë, por nëse e dimë se nuk do të ndodhë, atëherë mendoj se ky lloj qasjeje nuk i ndihmon askujt. Pra, në diplomaci, ne duhet të gjejmë mënyrat se si t’i trajtojmë këto çështje. Dhe tani, nëse e lexoni edhe një herë, ose dëgjoni, dua të them, nuk ka asnjë dokument, deklaratën e emisarit Serensen, ne e kemi marrë parasysh, duhet të bëhet, pa ndërprerje, komunitetin serb dhe dialogun e BE-së. Dialogu i Brukselit do të thotë dialog. Dialog, do të thotë gjithashtu Asociacion. Edhe nëse vjen më herët apo më vonë apo kështu me radhë, ai nuk është zhdukur, edhe nëse nuk u artikulua aq qartë, Asociacioni është aty. Dhe pastaj qeveria e di këtu, Beogradi e di, dhe emisari Serensen e di shumë mirë gjithashtu”, deklaroi Orav./lajmi.net/