BE-ja për Projektligjin për Zyrtarët Publikë, KPK-në dhe KPM-në: S’janë marrë parasysh komentet tona

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka shprehur keqardhje për tri projektligjet që priten të votohen nesër në lexim të dytë. Sipas BE-së, Projektligji për Zyrtarët Publikë, ai i Komisionit të Pavarur për Media dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, nuk janë marrë parasysh komentet e BE-së që synojnë përmirësimin e tyre dhe sigurimin e pajtueshmërisë…

Lajme

26/06/2024 15:50

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka shprehur keqardhje për tri projektligjet që priten të votohen nesër në lexim të dytë. Sipas BE-së, Projektligji për Zyrtarët Publikë, ai i Komisionit të Pavarur për Media dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, nuk janë marrë parasysh komentet e BE-së që synojnë përmirësimin e tyre dhe sigurimin e pajtueshmërisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Sa i përket Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë, BE e konsideron shqetësues faktin se Komisioni i Kuvendit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rural, nuk i ka konsideruar këshillat e gjera dhe konsistente që i ka ofruar gjatë procesit të hartimit në mënyrë që ligji të përafrohet plotësisht me parimet meritore, duke përfshirë një opinion të veçantë të Komisionit të BE-së të nxjerrë për Ligjin për Zyrtarë Publikë në fuqi.

“Komisioni i Kuvendit nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil. Ndryshime të tilla, nëse zbatohen, rrezikojnë të minojnë profesionalizimin dhe paanshmërinë e shërbimit civil. Veçanërisht, është shqetësues fakti që projektligji e mban edhe dispozitën e diskutueshme “viti zero”, e cila përcakton se me hyrjen në fuqi të ligjit fillon edhe mandati i parë i shërbimit për nëpunësit civilë në detyrë dhe zyrtarët publikë në pozita drejtuese të nivelit të ulët dhe të mesëm, pasi që kjo bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023. Kjo rrezikon gjithashtu të minojë profesionalizimin dhe stabilitetin në shërbimin civil”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, versioni aktual i Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media sipas BE-së nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në Opinionin Ligjor të përgatitur nga Këshilli i Evropës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i Komisionit të Pavarur për Media, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve. Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Evropës.

“Lidhur me projektligjin aktual për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja shpreh keqardhjen që Kosova nuk kishte kërkuar një opinion përcjellës nga Komisioni i Venecias, përkundër faktit se me vendosjen e Komisionit Para-Zgjedhor plotësim/ndryshimet parashikojnë një strukturë të re institucionale për emërimin e anëtarëve jo prokuror. Andaj, BE-ja përsërit rekomandimin e vet të fortë që të rikonsultohet Komisioni i Venecias për këtë projektligj. BE-ja thekson më tej me shqetësim se përkundër këshillave dhe mbështetjes sonë të vazhdueshme që i kemi dhënë qeverisë dhe komisioneve përkatëse të Kuvendit, komentet tona nuk janë marrë parasysh, duke përfshirë ato në lidhje me rritjen e pluralizmit dhe pavarësisë së Komisionit Para-Zgjedhor për të siguruar përafrimin me standarde evropiane”, thuhet më tej në komunikatë.

“BE-ja në Kosovë vëren se këto projektligje janë kyçe për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vlerësimi i përafrimit me standardet evropiane do të jetë gjithashtu vendimtar për vlerësimin e progresit nga Komisioni i BE-së në raportin e zgjerimit. Andaj, i bëjmë thirrje Kuvendit që t’  rishqyrtojë edhe një herë plotësim/ndryshimet e propozuara për të siguruar që këto projektligje t’i përmbushin standardet e BE-së dhe evropiane duke adresuar komentet dhe rekomandimet tona të mëparshme.  Në fund të fundit, ligjet e mira dhe të drejta që përputhen me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, janë esenciale për sundimin e ligjit në shoqëritë demokratike, si dhe për mirëqenien dhe mbrojtjen e qytetarëve”, përfundon komunikata. EO