BE-ja nuk e cilëson Kuvendin të konstituuar – Bashës i kërkohet të respektojë proceset kushtetuese

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, dje është takuar me kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Në këtë takim, u diskutua për rëndësinë e respektimit të proceseve kushtetuese dhe domosdoshmërinë e krijimit të institucioneve gjithëpërfshirëse dhe multietnike. Takimi vjen pas vendimit të Bashës për ta shpallur Kuvendin të…

Lajme

05/09/2025 10:14

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, dje është takuar me kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Në këtë takim, u diskutua për rëndësinë e respektimit të proceseve kushtetuese dhe domosdoshmërinë e krijimit të institucioneve gjithëpërfshirëse dhe multietnike.

Takimi vjen pas vendimit të Bashës për ta shpallur Kuvendin të konstituuar edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb – një kërkesë kjo e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Diskutuam për nevojën për të respektuar proceset kushtetuese dhe për të siguruar institucione gjithëpërfshirëse dhe multietnike. BE është këtu për të mbështetur Kosovën – formimi i Qeverisë dhe komisioneve të Kuvendit është kyç për të ecur përpara me Planin e Rritjes,” ka deklaruar Orav pas takimit.

Ai nënvizoi se vonesat në formimin e institucioneve kanë ndikuar në pengesat për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes, një nismë e BE-së që synon të ndihmojë shtetet e Ballkanit Perëndimor përmes mbështetjes financiare, integrimit ekonomik dhe reformave strukturore.

“Presim me padurim që këto zhvillime dhe Plani i Rritjes të sjellin përfitime konkrete socio-ekonomike për popullin e Kosovës,” shtoi Orav, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit institucional në funksion të progresit ekonomik dhe integrimit evropian të vendit./lajmi.net/