BE-ja kërkon drejtësi për policin e EULEX-it që humbi jetën në Kosovë, ishin ofruar 82 mijë euro shpërblim për informacione mbi përgjegjësit

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen për drejtësi për vrasjen e zyrtarit lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius, me rastin e 13-vjetorit të vrasjes së tij në veri të Kosovës. Senavicius, i cili shërbente si doganier në kuadër të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), u vra më 19 shtator 2013, në…

Lajme

21/09/2026 10:09

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen për drejtësi për vrasjen e zyrtarit lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius, me rastin e 13-vjetorit të vrasjes së tij në veri të Kosovës.

Senavicius, i cili shërbente si doganier në kuadër të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), u vra më 19 shtator 2013, në rrethinën e Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës.

Në përvjetorin e vrasjes, shefi i EULEX-it, Antero Lopes, ka bërë thirrje që personat që kanë informacione të rëndësishme për rastin t’ua përcjellin ato autoriteteve.

“E ripërsëris edhe njëherë apelin e EULEX-it: nëse dikush ka informacione që mund të ndihmojnë hetimet e Policisë së Kosovës, ju lutem të dilni dhe t’i ndani ato. Le ta kujtojmë Senavičiusin dhe sakrificën e tij”, ka shkruar Lopes.

EULEX-i kishte ofruar një shpërblim prej 82 mijë eurosh për informacionet që mund të ndihmonin në identifikimin, arrestimin dhe ndjekjen penale të personit ose personave përgjegjës për vrasjen e zyrtarit lituanez.

Megjithëse kanë kaluar 13 vjet nga vrasja, autoritetet ende nuk kanë dhënë një përfundim përfundimtar lidhur me autorët e rastit.

Bashkimi Evropian dhe EULEX-i kanë përsëritur vazhdimisht thirrjet për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje dhe për sjelljen para drejtësisë të përgjegjësve.

Audrius Senavicius mbeti i vrarë gjatë kohës kur ishte në shërbim të EULEX-it, ndërsa rasti vazhdon të mbetet një nga rastet e pazbardhura që lidhen me sigurinë e pjesëtarëve të misionit evropian në Kosovë.