BE e ashpër me qeverinë pasi ia ndaloi Vuçiqit vizitën: Mos i politizoni marrëveshjet

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pranuar një letër nga emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në të cilën kritikohet ashpër qasja e qeverisë karshi ndalimit të vizitës për presidentin serb, Aleksander Vuçiq në Kosovë.

Lajme

26/11/2020 15:57

Në këtë letër, Lajçak i ka dërguar Hotit një lloj note proteste për sjelljen e qeverisë së tij karshi ndalimit të vizitës së Vuçiq, dhe kushtëzimin që ia bëri ministria e Jashmte presidentit serb, ku u tha se pa kërkim falje për gjenocidin në vitet e 90-ta ndaj shqiptarëve, ai s’do të lejohet të hyjë në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Në lidhje me këtë letër si dhe komentet e mundshme për këtë çështje, lajmi.net ka kërkuar sqarime sot nga Bashkimi Evropian, konkretisht nga Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë.

Ai në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se BE-ja pret që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, të respektohen dhe zbatohen nga të dy palët.

Si rregull i përgjithshëm, BE nuk komenton mbi bisedat dhe korrespondencën që zyrtarët tanë kanë me partnerët e tyre. As ne nuk komentojmë se çfarë raportojnë mediat për shkëmbime dhe komunikime të tilla.Lidhur me çështjen e vizitave, BE pret që të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadrin e Dialogut të lehtësuar nga BE të respektohen dhe zbatohen, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe vizitat zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Stanos për lajmi.net.

Madje, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që marrëveshjen për lëvizjen e lirë mos ta politizojë.

Në këtë kuadër, nëse ka ndonjë paqartësi apo mosmarrëveshje sipas BE-së duhet të adresohet përmes dialogut.

“Palët kanë rënë dakord për modalitete të qarta për trajtimin dhe ekzekutimin e vizitave zyrtare dhe kjo marrëveshje nuk duhet të politizohet. Çdo mosmarrëveshje duhet të adresohet dhe zgjidhet brenda Dialogut”, ka thënë Stano për lajmi.net.

Ndryshe, vizita e mundshme e Vuçiqit në Kosovë ka shkaktuar edhe përplasje në koalicionin qeverisës.

Kryeministri, Avdullah Hoti në një deklarim para mediave, tha se qëndrimet e qeverisë i përfaqëson vetëm ai dhe askush tjetër.

Ai shtoi se ministrat mund të kenë qëndrime të caktuara, mirëpo që sipas tij ato janë gjithmonë të koordinuara me të.

“Qëndrimet zyrtare të Qeverisë i përfaqësoj unë, jo tjetër kush, sigurisht unë i koordinoj çështjet me ministrat përkatës, ministrat nganjëherë mund të kenë qëndrime te caktuara por ato në fund koordinohen me mua”, tha Hoti.

Ndryshe, ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj,  kishte nënvizuar dje se Vuçiqit nuk do t’i lejohet të hyjë në Kosovë  deri sa të kërkojë falje për gjenocidin e kryer nga serbët mbi shqiptarët.

Paraprakisht, një vizitë e paralajmëruar nga Vuçiq ishte anuluar pasi që nuk i ishte dhënë leje nga institucionet e Kosovës. /Lajmi.net/