Bashkimi me Kosovën, Ragmi Mustafa: Deputetët të respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Luginës

Iniciativa e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për shqyrtim dhe miratim një draft-rezolutë për kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është mirëpritur nga përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës Lindore.

Lajme

02/07/2019 17:15

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim një draft-rezolutë për kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në këtë draft-rezolutë, thuhet se institucionet e Kosovës, përmes kësaj rezolute, obligohen që të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur me Referendum të vitit 1992 si dhe me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).

“Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë kërkesa që i ndihmojnë stabilitetit afatgjatë të rajonit dhe që kontribuojnë në vendosjen e paqes afatgjatë të rajonit dhe hapjes së një kapitulli të ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Republika e Kosovës mbështet kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të gjitha organet dhe institucionet e saj do të mbështesin këto kërkesa, pa asnjë dallim politik apo dallim tjetër”, thuhet ndër të tjera në këtë draft-rezolutë.

Lexo edhe:

Thaçi i dërgon Kuvendit draft-rezolutë që mbështet kërkesat e shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën

Kjo iniciativë e presidentit Thaçi është mirëpritur nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, ka thënë për lajmi.net, se çdo iniciativë që ka për qëllim zgjedhjen e statusit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës t’i kushtohet vëmendje e merituar dhe kërkoi që institucionet e Kosovës të veprojnë pa dallim.

“Mund vetëm të përshëndes iniciativën e Presidentit. Si çdo iniciativë tjetër që ka për qëllim zgjedhjen e statusit politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Pres që çështjes së Luginë së Preshevës t’i kushtohet vëmendja e merituar dhe me urgjencë e përgjegjësi të veprojnë institucionet e Republikë së Kosovës pa dallim”, ka deklaruar Mustafa.

Edhe pse Thaçi sot e ka dërguar në Kuvend këtë draft-rezolutë, Mustafa ka thënë se pret që institucionet e Kosovës të ndërmarrin hapa konkret.

Mustafa po ashtu ka thënë për lajmi.net, se Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginë së Preshevës ku përfaqësohen të gjitha partitë politike shqiptare në korrik të vitit 2018 ka nxjerr deklaratën politike ku është konstatuar, se pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Kosovës dhe Serbisë.

Pres që të ndërmerren hapa konkret. Të fillohet të përpilohet strategji e veçantë si dhe një platformë sistematike veprimi konkret se si do ti qasen kësaj teme institucionet e Republikë së Kosovës. Më lejoni të kujtoj që Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginë së Preshevës ku përfaqësohen të gjitha partitë politike shqiptare në korrik të vitit 2018 ka nxjerr deklaratën politike ku është konstatuar, se pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Prandaj, Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ka kërkuar nga Parlamenti, presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhim në funksion të realizimit të kërkesave politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të parashtruara me dokumentet përkatëse në këtë Deklaratë. E në thelb është Referendumi i vitit 1992 ku janë deklaruar për bashkim me Kosovën”, u shpreh ai.

Mustafa ka thënë se pret që deputetët e Kuvendit të Kosovës të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës.

Sipas tij, zgjidhja e çështjes së Luginës së Preshevës është në kontekstin e bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Pres që deputetët të respektojnë vullnetin popullor të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pres që të respektojnë kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës si pak komunitete kanë besuar në demokraci dhe garancat e ndërkombëtarëve për të realizuar të drejtat individuale dhe kolektive në vitin 2001. Unë besoj se zgjidhja për çështjen e Luginës së Preshevës është në kontekstin e bisedimeve Kosovë-Serbi”, deklaroi Mustafa për lajmi.net.

Ai po ashtu ka thënë se në mënyrë direkte akoma nuk kanë marrë asnjë reagim nga Qeveria e Serbisë mirëpo, siç u shpreh Mustafa, pret që të ketë reagime siç ata din t’i bëjnë.

“Pritet që të ketë. Por tashmë janë të njohura reagimet e tyre. Respektimi dhe pranimi i tjetrit është parakusht i një shoqërie demokratike. Edhe pse në mungesë të kapaciteteve demokratike të Qeverisë së Serbisë, pres të ketë reagime nga një gjuhë tashmë e institucionalizuar e urrejtjes, çfarë ishte rasti i Ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin”, theksoi Mustafa.

Theksojmë se kjo draft-rezolutë, ka për qëllim mbështetjen e kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të kenë më shumë kujdes dhe interesim gjithëpërfshirës për të ndihmuar shqiptarët e Luginës së Preshevës në çdo sferë të jetës dhe për të jetësuar kërkesat e tyre legjitime. /Lajmi.net/