Basha takon ambasadorin e Francës, flet me të edhe për ndikimin rus në Evropë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovës, Olivier Guerot. Në lidhje me këtë takim, detaje ka dhënë Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media, të cilët kanë thënë se takimi është zhvilluar në frymë bashkëpunimi të ndërsjellë, duke reflektuar interesin reciprok për lidhje të forta…

Lajme
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Kosovës, Olivier Guerot.
Në lidhje me këtë takim, detaje ka dhënë Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media, të cilët kanë thënë se takimi është zhvilluar në frymë bashkëpunimi të ndërsjellë, duke reflektuar interesin reciprok për lidhje të forta mes dy shteteve.
“Në qendër të diskutimeve ishte thellimi i marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë tek fusha e arsimit. Kryetari Basha dhe Ambasadori Guérot u pajtuan që të shtohen programet për shkëmbimin e studentëve të të dy vendeve, ku rrjedhimisht edhe forcohen vlerat e përbashkëta, lidhjet mes popujve dhe bashkëpunimi mes studentëve dhe universiteteve të vendeve tona”, thuhet në këtë komunikatë.
Sipas kësaj komunikate, në këtë takim u bisedua edhe për intensifikimin e bashkëpunimit me qëllim të nxitjes së investimeve nga kompanitë franceze në Kosovë, ashtu që të gjenerohen vende të reja pune, ndërkaq thuhet se u bisedua edhe për ndikimin rus në Evropë.
“Një tjetër pikë e rëndësishme e bisedës ishte intensifikimi i bashkëpunimit me qëllim të nxitjes së investimeve nga kompanitë franceze në Kosovë, në mënyrë që të gjenerohen vende të reja pune e njëkohësisht të afirmohet edhe më tej potenciali i rinisë kosovare, e cila është e përgatitur profesionalisht, inovative dhe e orientuar drejt zhvillimit teknoligjik dhe jo vetëm. Në takim u trajtuan gjithashtu çështje me rëndësi gjeopolitike dhe strategjike, si ndikimi rus në Evropë, nevoja e mbështetjes nga Franca për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe domosdoshmëria e largimit të masave nga Bashkimi Evropian ndaj vendit tonë. Kryetari Basha theksoi se këta hapa ndikojnë pozitivisht në forcimin e mëtejshëm të demokracisë dhe ndihmojnë mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në vend”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.
Siç thuhet në komunikatë, Dimal Basha ka shprehur ambasadorit përkushtimin e institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe rëndësinë e integrimit të plotë në funksion të një shoqërie që bashkëjeton në respekt, barazi, paqe dhe zhvillim të plotë në kuadër të prosperitetit të gjithëmbarshëm të Republikës së Kosovës. /Lajmi.net/