Basha inspekton rrugën Mitrovicë – Jarinjë dhe Urës së Leshakut: Në veri po investojmë edhe në infrastrukturë
Ministri në detyrë e Infrastrukturës dhe Transportit Dimal Basha vizitoi sot në veriun e vendit, ku inspektoi nga afër gjendjen e rrugës Mitrovicë – Jarinjë si dhe vizitoi Urën e Leshakut. “Rruga drejt Jarinjës i është nënshtruar sanimeve, por duke marrë parasysh rëndësinë që ka për banorët dhe për sigurinë publike, planifikojmë që gjatë vitit…
Lajme
Ministri në detyrë e Infrastrukturës dhe Transportit Dimal Basha vizitoi sot në veriun e vendit, ku inspektoi nga afër gjendjen e rrugës Mitrovicë – Jarinjë si dhe vizitoi Urën e Leshakut.
“Rruga drejt Jarinjës i është nënshtruar sanimeve, por duke marrë parasysh rëndësinë që ka për banorët dhe për sigurinë publike, planifikojmë që gjatë vitit të ardhshëm ta rehabilitojmë dhe ta zgjerojmë aty ku e lejojnë kushtet teknike”, tha Basha.
Basha gjatë vizitës Urës së Leshakut tha se ka pësuar dëme të mëdha nga vërshimet dhe paraqet rrezik për qëndrueshmërinë e saj.
“Për këtë arsye do të diskutojmë me projektuesit për ndërtimin e një ure të re, që do të ofrojë qasje më të mirë dhe siguri më të madhe për banorët e asaj zone.
Në Jarinjë u ndala edhe për t’i përshëndetur zyrtarët tanë kufitarë. Me këtë rast i falënderova për shërbimin profesional, përkushtimin dhe punën e palodhshme që bëjnë.
Qeveria Kurti ka investuar shumë në sigurinë e veriut, ndërsa tani po investojmë edhe në infrastrukturë. Sepse për ne, Kosova është një dhe e pandarë – si në siguri, ashtu edhe në investime”, shkroi në Facebook, Basha.