Barra e përgjegjësisë që nuk i takon Kosovës
Status Quo nuk mund të mbahet. Rasti i Kosovës është Sui Generis. Këto ishin dy parimet kyç për bërjen e shtetit të Kosovës. Tani, kur do të duhej arritur Marrëveshjen me Serbinë, këto dy parime po mëdyshen.
Opinion
Shkruan: Blerim Shala
Çelësi politik dhe legal ndërkombëtar për bërjen e shtetit të Kosovës, gjatë negociatave të njohura si ‘Procesi i Vienës’ (i udhëhequr nga Presidenti Ahtisaari), ka qenë definimi i Kosovës si rast Sui Generis.
Në këtë mënyrë, krijimi i shtetit të Kosovës, në rrethanat e njohura politike dhe historike, nuk është dashtë të shërbejë si shembull, apo si model, për zgjidhjet e kontesteve të shumta anëkënd Botës.
Vuk Jeremiq, Shefi i diplomacisë së Serbisë në kohën kur Kuvendi i Kosovës pati shpallur pavarësinë (në vitin 2008), përmendte në paraqitjet e tij publike që janë, në gjithë Rruzullin tokësor, rreth 200 raste të ngjashme me Kosovën. Nëse Kosova bëhet shtet, Jeremiq paralajmëronte një Apokalips politik dhe të sigurisë, sepse parashihte shpërthimin e konflikteve në të katër anët e Botës.
Siç e dimë të gjithë, asgjë nuk ndodhi.
Kosova u bë shtet i pavarur, pa pasur pasoja në rajon, në Evropë apo kudoqoftë, sepse njëmend bëhej fjalë për një rast Sui Generis, i cili ishte rezultat i të gjitha zhvillimeve të njohura me ish-RSFJ-në, dhe me politikën e regjimit serb të Sllobodan Millosheviqit.
Për më shumë, tre nga katër fqinjët e Kosovës (Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia), njohën pavarësinë e Kosovës.
Poashtu, katër nga gjashtë shtetet e dala nga zhbërja e RSFJ-së (Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi), e bënë të njejtën gjë.
Ky është rrëfimi i vërtetë për mënyrën se si u bë Kosova shtet i pavarur.
Natyrisht, këtij procesi i parapriu Raporti i njohur i diplomatit norvegjez, Kai Eide (të Emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan), i cili në porosinë e tij kryesore thoshte: Status Quo është i rrezikshëm për Kosovën dhe rajonin, prandaj duhet hyrë në ndërmarrjen e definimit të statusit të Kosovës.
Sidoqoftë, javëve dhe muajve të fundit, kur është diskutuar dhe trajtuar mundësia që Kosova dhe Serbia ta bëjnë atë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizmin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve (tani të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtare përmendin që bëhet fjalë për njohje reciproke), ka pasë raste kur janë mëdyshur, me apo pa dashje, si në Kosovë ashtu edhe tek faktorët ndërkombëtarë, këto dy kryetiparet e procesit të krijimit të shtetit të Kosovës.
Kështu, po del që Status Quo mund të jetë më pak i rrezikshëm se sa gjetja e zgjidhjes për një kontest historik mbi njëqind vjeçarë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Apo, që mund të vazhdohet me pritjet disavjeçare, derisa të krijohen rrethanat më të volitshme për epilogun e këtyry bisedimeve që kanë nisur qysh në vitin 1998.
Ky supozim është i paqëndrueshëm dhe krejtësisht i gabuar. Lajmet e përditshme që prodhohen në Kosovë dhe në Serbi, e demantojnë atë.
Status Quo është një ftesë për telashe të mëdha në marrëdhëniet edhe ashtu shumë të përkeqësuara në mes të dy shteteve. Kështu del që as Status Quo të mirëfilltë nuk ka. Ka prapakthim evident në këto raporte.
Në anën tjetër, prej autoriteteve më të larta të Kosovës po kërkohet, në ndërmarrjen e kërkimit të Marrëveshjes ligjësisht detyruese me Serbinë, që ato të kenë kujdes të madh dhe përgjegjësi të veçantë për sigurinë rajonale dhe madje ndërkombëtare, gjë që do të thotë që tani po del që ai modeli Sui Generis i zgjidhjes së çështjes së Kosovës nuk është më në fuqi.
Kështu, udhëheqësia Kosovare, edhe pse nuk ka fare të bëj me zhvillimet në Bosnjë dhe Hercegovinë, e lërë me në Ukrainë dhe me raportet e Federatës së Rusisë me Ukrainën, sipas këtyre paralajmërimeve, do të duhet të ketë parasyshë edhe pasojat rajonale dhe ndërkombëtare të një Marrëveshjeje eventuale me Serbinë, qoftë edhe nëse ajo do të jetë një dakordim i mirëfilltë politik në mes të dy shteteve.
Gjithsesi, kjo është një barrë shumë e madhe për lidershipin e Kosovës, kur dihet që objektivisht, BE-ja e sotme, nuk është në gjendje të luajë një rol vendimtar dhe imponues për gjetjen e një Marrëvshjeje midis Kosovës dhe Serbisë, që në thelbin e saj ka njohjen reciproke në mes të dy shteteve.
Përgjegjësia rajonale dhe ndërkombëtare tashmë është ushtruar në mënyrën më të mirë të mundshme nga ana e autoriteteve të Kosovës. Ndikimi i Prishtinës ka qenë evident në ruajtjen e stabilitetit të Maqedonisë dhe në arritjen e Marrëveshjes për emër me Greqinë. Gjithashtu, ky ndikim ka qenë me peshë të madhe edhe për suksesin e Referendumit për pavarësinë e Malit të Zi.
Kosova gjithsesi do të vazhdojë të ketë marrëdhënie shumë të mira me këto dy shtete fqinje.
(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)