Barduani rrëfen histori personale në fjalimin e fundit në krye të KFOR: Këtu edhe një ngjarje e vogël mund të ketë pasoja strategjike

Gjeneralmajor Enrico Barduani, gjatë fjalimit në ceremoninë e ndërrimit të komandës, tha se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por e brishtë. “Ka ende shqetësime për sigurinë afatgjatë për shkak të disa çështjeve ende të pazgjidhura. Prandaj, roli i KFOR-it këtu ende i rëndësishëm”, tha ai. Sipas Barduanit, nga të gjitha dislokimet që ka…

Lajme

03/10/2025 12:41

Gjeneralmajor Enrico Barduani, gjatë fjalimit në ceremoninë e ndërrimit të komandës, tha se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por e brishtë.

“Ka ende shqetësime për sigurinë afatgjatë për shkak të disa çështjeve ende të pazgjidhura. Prandaj, roli i KFOR-it këtu ende i rëndësishëm”, tha ai.

Sipas Barduanit, nga të gjitha dislokimet që ka pasur në mbarë botën, shërbimi i tij në Kosovë ka qenë më sfiduesi.

“Këtu çdo ngjarje e vogël, qoftë edhe të një magnitude të vogël, çdo veprim dhe fjalë mund të ketë pasoja strategjike, në kontekstin që mbetet stabil, por i brishtë”, tha ai.
KFOR-i, tha Barduani, vazhdon të mbështesë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është kornizë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe të arrihen zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është kyç për një stabilitet afatgjatë”, theksoi ai.

Në këtë drejtim, ai tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, dhe “të dyja të tregojnë fleksibilitet për të arritur kompromiset e nevojshme”.

“Politikanët e mençur duhet të punojnë në të mirë të popullit të tyre dhe për të ardhmen e shtetit të tyre. Prandaj, ata duhet të jenë të gatshëm të bëjnë kompromise”, tha Barduani.

“Nëse e shikojmë skenarin e sigurisë në mbarë botën sot, jam i sigurt se tani më shumë se kurrë na duhet udhëheqje politike të ndjekë zgjidhje afatgjatë për disa çështje të pazgjidhura që ende prekin stabilitetin e Kosovës dhe rajonit”, shtoi komandanti i 29-të i KFOR-it.

Të pranishëm në ceremoninë e ndërrimit të komandës të KFOR-it ishin të pranishëm edhe zyrtarë institucionalë të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se populli i Kosovës është mirënjohës për kontributin e misionit të NATO-s.

“Populli i Kosovës gjithmonë ka qenë në linjë me vlerat e lirisë dhe sigurisë kolektive. Prandaj, aspirata jonë për t’iu bashkuar NATO-s nuk është vetëm zgjedhje strategjike, por reflektim i asaj që jemi ne”, tha ajo.

Sipas Osmanit, në kohën kur kërcënimet për paqe po shtohen, aleanca e NATO-s është më e fuqishme kur qëndron së bashku me partnerët që kanë dëshmuar përkushtimin e tyre për paqe.

“Kosova e ka bërë këtë përmes qëndresës sonë, reformave dhe vendosmërisë së popullit tonë. Duhet të jemi të qartë, ka të tillë që duan të zhbëjnë atë që së bashku e kemi arritur, ata duan të na kthejnë në të kaluarën. Përgjigja jonë ndaj tyre duhet të jetë e qartë: lajkatimi i diktatorëve dhe autokratëve nuk duhet të jetë përgjigja siç na tregon historia. Nuk duhet t’u mundësohet partneriteti atyre që kryejnë agresion ndaj fqinjëve”, tha Osmani.

Deklarata të ngjashme Osmani bëri edhe një ditë më parë, kur tha se Serbia dhe Rusia paraqesin kërcënim për Kosovën. Ajo kërkoi nga Bashkimi Evropian që të mos “e shpërblejë Serbinë”, pasi argumentoi se ajo është partnere e Moskës dhe se ka “përdorur taktika të agresionit dhe destabilizimit ndaj fqinjëve”, duke përmendur sulmin në Banjskë të Zveçanit më 2023, për të cilin Kosova fajëson Serbinë.