Barcelona triumfon ndaj Villarealit, Xavi arrin fitoren e dytë rresht në La Liga

Barcelona ka arritur një fitore tejet të rëndësishme në udhëtim ndaj Villarrealit.

Sport

27/11/2021 23:06

“Blaugranasit” kanë triumfuar me rezultat 3-1 si mysafir ndaj “nëndetëses së verdhë”.

Teksa pjesa e parë u mbyll pa gola, nuk shkoi shumë në pjesën e dytë kur u realizua goli i parë.

Mesfushori holandez Frenkie de Jong e hapi sfidën duke realizuar një gol të lehtë në minutën e 48-të.

Pas një hutie tek mbrojtja e Barcës, anësori i rrezikshëm Samuel Chukwueze barazoi shifrat në minutën e 76-të të ndeshjes.

Holandezi tjetër, Memphis Depay i dha sërish avantazhin mysafirëve duke shfrytëzuar një gabim nga mbrojtësit kundërshtar, për të përfunduar një gol me stil në minutën e 88-të.

Goli i Depay – VIDEO

Kur po mendohej se Barca po fitonte me rezultat të ngushtë, ‘blaugranasit’ goditën edhe njëherë, duke realizuar me anë të penalltisë në minutat shtesë përmes Philippe Coutinhos i cili u tregua i saktë nga penalltia dhe i dha fitoren Barcës me rezultat final 3-1.

Goli i Coutinhos – VIDEO

Kjo është fitorja e parë e Barcelonës si mysafir në La Liga këtë sezon, pasi paraprakisht ishte pa fitore në pesë xhirot e para në udhëtim, me tre barazime e dy humbje.

Ndërkohë Xavi tani e regjistron fitoren e dytë me radhë në stolin e Barçës teksa ngriten në pozitën e shtatë me 23 pikë të mbledhura pas 14 xhirove.

Villareal në anën tjetër mbetet në pozitën e 12-të me 16 pikë të mbledhura këtë edicion. /Lajmi.net/