Banka Botërore: Kosova do të ketë rënie në ekonomi në 2025 krahasuar me vitin 2024
Banka Botërore ka parashikuar se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë rënie në rritjen ekonomike në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024. Në njoftimin për shtyp, bëhet e ditur se rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet në vitin 2025, për shkak të kërkesës së jashtme më të ulët si dhe pasigurisë ekonomike…

Lajme
Banka Botërore ka parashikuar se vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë rënie në rritjen ekonomike në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024.
Në njoftimin për shtyp, bëhet e ditur se rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor parashikohet të ngadalësohet në vitin 2025, për shkak të kërkesës së jashtme më të ulët si dhe pasigurisë ekonomike të krijuar si rezultat i ndryshimeve që po ndodhin në politikat tregtare globale, të cilat mund të ndikojnë në besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve.
Në raportin e Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, të publikuar sot parashikohet se norma e përbashkët e rritjes ekonomike e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, do të arrijë në 3.2% në vitin 2025, që paraqet një ndryshim me 0.5 pikë përqindje më pak nga parashikimi i mëparshëm. Rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3.5% në vitin 2026.
“Ne po vërejmë disa tendenca pozitive ekonomike në Ballkanin Perëndimor, të cilat nxjerrin në pah qëndrueshmërinë e rajonit dhe mund të mbështesin rritjen solide të tij. Inflacioni më i ulët dhe rritja e pagave mbështesin konsumin, ndërsa investimet publike po rriten,” thotë Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Nga ana tjetër, po vërejmë rritje të pasigurisë së brendshme në disa nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në Bashkimin Europian dhe pasiguritë në rritje në tregtinë globale gjithashtu mund të ndikojnë negativisht perspektivën e rritjes ekonomike të rajonit”, vijon tutje ajo, transmeton Klankosova.tv
Ngadalësimi pritet të zvogëlojë tregtinë mallrave dhe shërbimeve, si dhe investimet dhe dërgesat.
Raporti sugjeron se strategjitë më efikase për ruajtjen e stabilitetit ekonomik gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike janë diversifikimi i burimeve të rritjes dhe rinovimi i agjendës së reformave strukturore.
Masat kryesore përfshijnë eliminimin e barrierave në tregun e punës – përfshirë ato që prekin gratë – forcimin e integrimit ekonomik rajonal, përmirësimin e standardeve të qeverisjes dhe rritjen e konkurrencës në treg për të nxitur produktivitetin dhe mbështetur rritjen ekonomike afatgjatë.