Balluku: Linja 400 kV e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë nuk mund të pengohet nga askush

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Kosovën konsiderohet nga qeveria shqiptare si një nga hapat më të rëndësishëm të hedhur në sektorin energjetik.

Lajme

27/12/2019 15:34

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një intervistë për mediat u pyet lidhur me pengimin që Serbia ka bërë për vënien në funksion të linjës 400 kV të interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë.

Balluka tha se marrëveshja është e firmosur nga të dy shtetet dhe se është një proces që nuk mund të ndalohet nga askush.

“Interkonjeksionin me Kosovën ne e konsiderojmë si një nga hapat ë të rëndësishëm që ne kemi hedhur. Marrëveshja tashmë është firmosur nga të dy palët dhe nuk është një proces që mund të ndalohet nga askush. Si Shqipëria edhe Kosova janë shtet sovrane dhe marrin vendimet e tyre për projekte që kanë të bëjnë me energjinë, zhvillimin ekonomik dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët. Nuk besoj se kjo është diçka që merr diskutim nga vende apo entitete të tjera”, deklaroi ministrja Balluku./atsh