Ballkani dhe Llapi ndajnë pikët sikur edhe Drita me Drenicën, fiton Malisheva
Kanë përfunduar tri ndeshjet e ditës së sotme në kuadër të Superligës së Kosovës në futboll.

Sport
Vëmendja kryesore ishte te ndeshja Llapi – Ballkani, e cila nuk dha ndonjë fitues, shkruan lajmi.net.
Llapi dhe Ballkani ndanë pikët me një barazim 1:1. Suharekasit kaluan të parët në epërsi, me anë të Ermal Krasniqit, në minutën e 15’ të takimit.
Gjithçka u barazua në minutën e 62’, me golin e Selmanit, që doli të ishte ai që vulosi rezultatin e takimit.
Ballkani luajti me 10 lojtarë nga minuta e 77’, pasi Dellova ndëshkohej me karton të kuq.
Baras luajtën edhe Drita me Drenicën, me mysafirët që reaguan në minutat e fundit për të dalë me një pikë. Golin e Krasniqit në minutën e 52’ e neutralizoi goli i minutës së 90+1’, i shënuar nga Hamiti.
Malisheva fitoi në udhëtim kundër Feronikelit, me rezultatin 0:2, me golat e Berishës (76’) dhe Olivier (82’).
Aktualisht, Ballkani numëron 70 pikë në pozitën e parë në tabelë, kurse Llapi shkon në 54 pikë për pozitën katër.
Malisheva numëron 40 pikë dhe aktualisht del nga zona e barazhit, me pikët baras me Drenicën.
Drita numëron 56 pikë, kurse Feronikeli mbetet me 12 pikë në pozitën e fundit. /Lajmi.net/