Bajrami për refuzimin e ftesës së Kurtit: Na ka ofenduar, vijat e kuqe i krijoi LVV’ja me gjuhën e saj

Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami ka folur për refuzimin e ftesës së partisë së saj për takim me kreun e VV’së, Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me formimin e qeverisë. Bajrami në emisionin Pressing në T7 thotë se VV’ja e ka ofenduar jo vetëm përfaqësuesit e LDK’së, por edhe elektoratin e saj. Ajo thotë…

Lajme

09/04/2025 21:43

Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami ka folur për refuzimin e ftesës së partisë së saj për takim me kreun e VV’së, Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me formimin e qeverisë.

Bajrami në emisionin Pressing në T7 thotë se VV’ja e ka ofenduar jo vetëm përfaqësuesit e LDK’së, por edhe elektoratin e saj. Ajo thotë se kjo është njëra ndër arsyet pse qëndrimi i LDK’së është aq i prerë për një koalicion me VV.

“Ne kemi pasur qëndrimin tonë të qartë, e kemi thënë parafushatës, gjatë dhe pas fushatës që LDK nuk shkon në koalicion me VV. Ne kemi një përvojë të jetuar në një koalicion me VV, e dyta e kemi parë jashtëzakonisht mirë mënyrën e qeverisjes, apo të them të keqqeverisjes së VV për një mandat të plotë. Kemi pa tendencën e tyre për kapjen e institucioneve. E treta është linçimin që na kanë bërë, denigrimi, linçimin, ofendimin që e kanë bërë gjatë dhe pas fushatës.

Nuk kanë ofenduar vetëm përfaqësues të LDK, por ata kanë ofenduar elektoratin, dhe kemi ardh në një përfundim që ne në asnjë mënyrë nuk mund të qeverisim me ta”.

Tutje, Bajrami thotë se LDK’ja nuk ka pasur vija të kuqe me askënd, mirëpo VV’ja është ajo që me gjuhën dhe veprimet e saj ka ndikuar që këto vija të kuqe të krijohen.

“Këto vija të kuqe, ëshë VV’ja e cila me veprimet e saja e ka kriju, me gjuhën e ofendimet e saj e ka krijuar”, përfundoi Bajrami