Bajrami kritikon MASHT-in për vonesat në subvencionimin e librave shkollorë: VV ka dështuar në arsim sikur në çdo fushë tjetër
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Arsimit për shkak të vonesave në hapjen e aplikimeve për subvencionimin e librave shkollorë për vitin 2025/26, vetëm dy javë para nisjes së vitit të ri shkollor. Ajo thotë se kjo situatë po përsëritet për të tretin vit radhazi, duke rënduar…

Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Arsimit për shkak të vonesave në hapjen e aplikimeve për subvencionimin e librave shkollorë për vitin 2025/26, vetëm dy javë para nisjes së vitit të ri shkollor.
Ajo thotë se kjo situatë po përsëritet për të tretin vit radhazi, duke rënduar barrën financiare dhe organizative të prindërve dhe mësimdhënësve, transmeton lajmi.net.
Sipas Bajramit, modeli aktual i subvencionimit, që ia lë përgjegjësinë prindërve për blerjen e librave, është dëshmuar si joefikas dhe më i kushtueshëm për buxhetin e shtetit sesa mënyra e mëparshme, kur librat siguroheshin drejtpërdrejt nga Ministria dhe vendoseshin në bankat shkollore që në ditën e parë të mësimit.
Ajo kritikon Ministrinë që nuk është kujdesur për kapacitetet e librarive, qasjen e prindërve, apo krijimin e mekanizmave të kontrollit dhe afateve të qarta.
Deputetja thekson se kjo qasje ka përkeqësuar gjendjen për nxënësit nga familjet me kushte të vështira ekonomike, të cilët shpesh detyrohen të heqin dorë nga blerja e librave për shkak të prioriteteve të tjera jetike. Si pasojë, fillimi i procesit mësimor bëhet më i vështirë dhe pabarazia mes nxënësve thellohet.
Në fund, Bajrami shprehet se është e domosdoshme që librat të ofrohen falas dhe të jenë të gatshëm mbi banka më 1 shtator.
Ajo i bën thirrje Ministrisë së Arsimit që të fokusohet më shumë në përmbajtjen e librave sesa në formën e shpërndarjes, dhe që vendimmarrja të përfshijë Këshillin e Prindërve, mësimdhënësit dhe ekspertët. Në mënyrë kritike, ajo përmbyll reagimin duke thënë se “vetëm qeveria e LVV-së e përsërit të njëjtin dështim, duke shpresuar për një rezultat ndryshe”.
Postimi i plotë: