Bajqinovci: Task Forca u shkarkua sepse po hetonte tenderët e Agim Veliut

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka folur për shkarkimin e menaxhmentit të Policisë së Kosovës në krye me Rashit Qalajn.

Lajme

27/10/2020 18:13

Ai këtë shkarkim e ka quajtur hakmarrje të LDK-së ndaj Policisë së Kosovës, respektivisht edhe shuarjes së Taskë Forcës për luftimin e korrupsionit.

“Taska Forca kundër korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës po hetonte tenderët e nënshkruar nga ministri i LDK-së, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu. Po hetoheshin tenderët për targat dhe kjo nuk u mohua as nga policia e as nga ministria”, ka thënë Bajqinovci në RTK.

Sipas tij, asnjë polic nuk guxon të hetonjë zyrtarët e LDK-së.

“I kemi deklaratat e Isa Mustafës pas arrestimit të Haki Rugovës, se këtë rast nuk duhet ta hetojë Prokuroria e Pejës, por duhet të merret Prokuroria Speciale. Ku guxon një politikan, më së paku një kryetar partie, që të thotë kështu dhe të ndërhyjë në drejtësi”, ka thënë Bajqinovci.

Më pas deputeti i VV-së ka ngritur dilema për shkarkimin e Rashit Qalajt si drejtor i Policisë së Kosovës.

“Pse nuk u ndërruan ata (menaxhmentin e policisë) në rastin e Karaçevës, kur kryeministri e lavdëroi aksionin atje. Dy javë më herët po e lavdëron dhe më pas po e shkarkon drejtorin. Kjo është totalisht e pakuptimtë dhe politike. Ne e dimë që ata ishin eksponentë të PDK-së, megjithatë ata nuk u shkarkuan para ose pas Karaçevës, por pas arrestimit të Agim Veliut”, ka thënë Bajqinovci.

Tutje ai ka thënë se Hoti dhe LDK-ja po i largojnë njerëzit që po i hetojnë vet këta për tenderë të ndryshëm.

“Kur ia arreston Haki Rugovën, kur fillon hetimi i tenderëve, fillon shkarkimi. Është goditje e madhe që i është dhënë luftimit të krimit dhe korrupsionit më shuarjen e kësaj Taskë Force”, ka thënë Bajqinovci.