Bajqinovci mbron qëndrimin e Kurtit në Greqi: Çka kish mujt me bo nëse kish qenë këtu?
Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë e kanë kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për mos menaxhim të mirë të situatës me rastin e dyshimeve për helmime nga uji të qytetarëve të komunës së Deçanit.

Lajme
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci i ftuar në ATV konsideron që veprimi i Qeverisë ka qenë mjaftë i shpejtë.
“Ditën e dytë menjëherë është ndërhyrë, opozita po kërkon të bëjë kauzë, nuk bëhen kauza me problem të tilla shëndetësore, është një problem jashtëzakonisht I ndjeshëm dhe shumë shqetësues për shtetin. Ka ndërhyrë FSK-ja, ka ndërhyrë Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet, si dhe ministri i Shëndetësisë drejtpërdrejtë ka shkuar në vendin e ngjarjes, gjithashtu edhe Presidentja e vendit, ndërsa ata po kërkojnë që edhe Kryeministri, ai dihet që është në Greqi në vizitë,” – tha Bajqinovci.
Sipas tij, ardhja e kryeministrit Kurti nga vizita në Greqi, nuk ka qenë e nevojshme.
“Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë vdekje që lidhen me këtë helmim, dhe sot gjendja është shumë stabile. (…) Çka kish mundur me bo më tregoni nëse kish me qenë kryeministri?,” – shtoi ai.
Ndërkaq, deri më tani është raportuar se mbi 1500 banorë të Deçanit dhe mbi 80 të Pejës kanë rezultuar të helmuar.