Bahtiri flet për veten në veten e tretë: IQV drejtohet nga një veprimtar i PDK-së
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, është lëshuar në sulm ndaj Iniciativës Qytetare për Veprim (IQV), e cila ditëve të fundit ka shtuar aktivitetet kundër kreut të Komunës.
Lajme
Sipas Bahtirit, kjo iniciativë drejtohet nga një veprimtar i devotshëm i PDK’së, pa përmendur emrin e tij, ndërsa ka theksuar se veprimet e saj janë destruktive.
Më tej ju sjellim të plotë reagimin e Bahtirit:
Një e ashtuquajtur Iniciativë Qytetare për Veprim (IQV), që drejtohet nga një veprimtar i devotshëm i PDK-së, e që në radhët e veta asnjëherë nuk ka mund të tuboj më shumë se 10 qytetarë të Mitrovicës, ka intensifikuar kohëve të fundit aktivitetet e veta destruktive dhe për llogari të padronëve të tij, me qëllim të njollosjes së punës dhe figurës së kryetarit të komunës, Agim Bahtiri.
Po ashtu, këta pesë-gjashtë dashakeqës, me veprimet e tyre të pamatura duan të vështirësojnë dhe pengojnë angazhimin dhe vendosmërinë e kryetarit Bahtiri për mbrojtjen e çështjes më të rëndësishme për komunën dhe qytetarët e saj, e që është moslejimi i ndryshimit të kufirit administrativ ndërmjet dy komunave.
Kjo IQV me pak anëtarë dhe drejtues të papërgjegjshëm e të shantazhuar, duke kryer detyra që kanë marrë nga urdhërdhënësit e tyre, edhe gjatë ditës së shtunë ka bërë përpjekje të pasuksesshme që të mashtroj opinionin, duke shpifur në adresë të kryetarit Bahtiri, me qëllim të nxitjes së pakënaqësisë të qytetarëve, por të cilët injoruan tërësisht këto përpjekje.
Duke mos dashur të merret me akuzat shpifëse të kësaj IQV-je, të cilat nuk po kanë asnjë ndikim tek qytetarët e komunës së Mitrovicës, kryetari i komunës, Agim Bahtiri i njofton ata se gjatë ditëve të fundit i ka shtuar maksimalisht përpjekjet dhe angazhimet e tij për të mbrojtur interesat e qytetarëve e të komunës.
Këto interesa po mbrohen duke mos hequr dorë në asnjë mënyrë nga realizimi i marrëveshjes së Brukselit për lëshimin sa më të shpejtë për lëvizje e qarkullim të plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër, si dhe për respektimin e kufirit administrativ me komunën e re në veri të Mitrovicës, ashtu sikur që ishte përcaktuar me pakon e ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, Presidentit Marti Ahtisari, kufi të ciliin tani serbët duan ta ndryshojnë në favor të tyre.
Mirëpo, edhe përkundër presionit të madh të ndërkombëtarëve për të nënshkruar marrëveshjen për përcaktimin e kufirit administrativ, sipas kërkesës së palës serbe, falë qëndrimit këmbëngulës dhe të fuqishëm të kryetarit Bahtiri, si dhe mbështetjes të liderëve të vendit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Në bisedat e fundit disaditëshe që i kemi pas në Prishtinë, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e të dyja komunave, përfaqësuesit e të institucioneve më të larta të vendit dhe institucioneve ndërkombëtare, kemi mbrojtur fuqishëm dhe me vendosmëri qëndrimin për mos ndryshimin e kufijve administrativ midis dy komunave. Madje falë argumenteve bindëse që ne i kemi ofruar, kemi marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe janë bindur edhe përfaqësuesit serbë, se çështja e kufijve administrativ ndërmjet komunës në pjesën jugore dhe asaj në pjesën veriore të lumit Ibër, është çështje e përfunduar njëherë e përgjithmonë. Këta kufij të përcaktuar sipas pakos së Presdinetit Ahtisari dhe të miratuar qysh atëherë nga të gjitha palët, nuk mund të ndryshohen më, andaj edhe nuk mund të ketë diskutime lidhur me këtë çështje”, thotë kryetari Bahtiri.
Ndërsa sa i përket rivitalizimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, kryetari Bahtiri i njofton qytetarët e komunës, se është po ashtu i vendosur dhe këmbëngulës në kërkesën e tij (e që është edhe kërkesë e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike), drejtuar përfaqësuesve më të lartë të BE-së, që realizimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel, lidhur me këtë çështje, të mos vonohet më, por kjo të bëhet sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që qytetarët dhe automjetet të lëvizin e qarkullojnë lirshëm, në të dyja drejtimet.
Në fund, kryetari Bahtiri, edhe njëherë apelon tek qytetarët e komunës, që të jenë të qetë e të kujdesshëm, në mënyrë që të mos bien pre e shpifjeve dhe dezinformatave të njerëzve të papërgjegjshëm, të cilët po punojnë për interesa të grupeve e klaneve që i kanë shkaktuar dëme të mëdha komunës dhe qytetarëve në të kaluarën.