Babai i gruas së Arbnor Spahiut thirrje shtetit: Çohuni – mbroni bijtë tuaj, ku janë institucionet?
Misin Metaj, vjehrri i ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiut, që tash e disa ditë po mbahet i burgosur në Serbi, i ka kërkuar institucioneve që të reagojnë për ndalimin e qytetarit të vet nga autoritetet serbe. Metaj iu drejtua institucioneve shtetërore duke thënë se “a ka mbetur kush që i dëgjon hallet e qytetarëve të…

Lajme
Misin Metaj, vjehrri i ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiut, që tash e disa ditë po mbahet i burgosur në Serbi, i ka kërkuar institucioneve që të reagojnë për ndalimin e qytetarit të vet nga autoritetet serbe.
Metaj iu drejtua institucioneve shtetërore duke thënë se “a ka mbetur kush që i dëgjon hallet e qytetarëve të vet?”, duke shtuar se vajza e tij, Arjeta, çdo ditë po udhëton drejt Serbisë për të kërkuar drejtësi për bashkëshortin e saj.
“A është kjo detyra e një shteti? Që t’u kthejë shpinën atyre që i kanë shërbyer me nder? Ku janë institucionet tona? Ku janë ata që betohen se do të mbrojnë qytetarët e vet?”.
“Nuk është vetëm Arbnori që po vuan – po vuan edhe familja, po vuan edhe bashkëshortja e tij, dhe po vuan edhe çdo prind që sheh se si drejtësia po zbehet përballë padrejtësisë”, shkroi Metaj, transmeton Klankosova.
Tutje, ai u shpreh se vajza e tij, bashkëshortja e ish-policit po lufton e vetme për të drejtën që duhej t’ia garantonte shteti i Kosovës.
“Mjaft më me heshtje! Ne nuk kërkojmë lëmoshë – kërkojmë drejtësi! Kërkojmë që shteti ynë të zgjohet dhe të mbrojë bijtë e vet”, shkroi ai.
Pos babait të Arjeta Spahiut, gjatë ditës së sotme edhe familja e ish-policit, ka dalë me një deklaratë publike përmes së cilës ka kërkuar ndihmë nga ana e ndërkombëtarëve.
“Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinion publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm – e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij me mjete ligjore dhe institucionale, me besimin se e vërteta nuk mund të mohohet”, thuhej në reagimin e prindërve të ish-policit.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale Operative u ndalua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Horgosh, e ku gjatë javës që shkoi atij iu shqiptua masa e paraburgimit prej 1 muaji.