Avokatja Tavakoli kërkon ta ndërpresë përfaqësimin e Thaçit në rastin për pengim të drejtësisë, pritet ta zëvendësojë Menegon

Nina Tavakoli e cila përfaqësonte Hashim Thaçin në çështjen për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale, ka kërkuar që t’iu ndërprehet përfaqësimi juridik. Ndërsa, kërkesë për përfaqësim të Thaçit ka parashtruar Sophie Menegon. Kjo u bë e ditur përmes konferencës javore nga zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Michael Doyle, i cili tha…

Lajme

13/02/2025 15:54

Nina Tavakoli e cila përfaqësonte Hashim Thaçin në çështjen për pengim të drejtësisë në Gjykatën Speciale, ka kërkuar që t’iu ndërprehet përfaqësimi juridik. Ndërsa, kërkesë për përfaqësim të Thaçit ka parashtruar Sophie Menegon.

Kjo u bë e ditur përmes konferencës javore nga zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Michael Doyle, i cili tha se e gjithë kjo ka ndodhur brenda periudhës 6 dhe 10 shkurt 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më 6 shkurt, administratorja njoftoi gjykatësen e procedurës paraprake se zonja Nina Tavakoli ka kërkuar miratimin e administratores për të ndërprerë përfaqësimin e zotit Thaçi prej saj në këtë çështje gjyqësore. Më pas, më 10 shkurt, administratorja njoftoi për kërkesën e bashkëmbrojtëses aktuale të zotit Thaçi, zonja Sophie Menegon, për të zëvendësuar zonjën Tavakoli si kryembrojtëse”, tha Doyle.

Në po të njëjtin rast, Doyle njoftoi për vazhdimin e paraburgimit të Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hashim Thaçin për çka edhe ka raportuar sot “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykatësja e procedurës paraprake konstatoi se materiali mbështetës tregon se zotit Thaçi “i ngarkoi secilit grup detyrën për të kontaktuar dëshmitarë të ndryshëm të ZPS-së, disa prej të cilëve zoti Thaçi i cilësoi në mënyrë specifike si “vendimtarë” […] zbuloi në mënyrë të përsëritur dhe të qëllimshme, pa autorizim, informacion të mbrojtur …” dhe “inkurajoi dhe nxiti në mënyrë të qartë, në kontekstin e secilit grup, domethënë të grupit Fazliu, grupit Smakaj dhe grupit Kilaj, zotërinjtë Fazliu, Smakaj dhe Kilaj, që të merrnin dhe mbanin mend udhëzimet e sakta të tij dhe të kontaktonin dëshmitarët e shënjestruar, me synim ndikimin në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e ardhshme (në atë kohë) të tyre në gjykimin Thaçi dhe të tjerët”, tha Doyle.

Ndërsa tek rasti i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të cilët akuzohen për krime lufte, këtë javë dhanë dëhsmi dy dëshmitarë. Njëri prej tyre ishte i mbyllur ndërsa tjetri ishte Sylejman Selimin.

“Zotit Selimi iu caktua një mbrojtës gjatë dëshmisë, për t’i dhënë mundësinë të kërkonte udhëzime për aspekte të vetinkriminimit të mundshëm. Dëshmia e zotit Selimi vazhdoi gjatë gjithë javës”, tha Doyle.

Ai tregoi se në këtë rast më 7 shkurt 2025, është marrë vendim që dy deklarata me shkrim dhe një provë materiale shoqëruese mund të pranohen në prova materiale.

Doyle theksoi se sipas vendimit, mbrojtja do ta kishte mundësinë që ta merrte në pyetje dëshmitarin.

“Trupi gjykues hodhi poshtë kërkesën e Prokurorisë për pranim të një prove materiale sipas Rregullës 154 dhe miratoi një kërkesë tjetër për t’i shtuar listës së provave materiale disa dokumente, duke theksuar se mbrojtja nuk e kundërshtoi këtë”, tha tutje Doyle.

Ai tregoi po ashtu se në rastin i Pjetër Shalës, është miratuar kërkesa e mbrojtjes për zgjatje të afatit për dorëzimin e dosjes së apelit kundër urdhrit për zhdëmtim deri më 14 mars 2025.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.