Avokati kosovar: Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit është në mbrojtje të rendit kushtetues
Avokati Xhevdet Smakiqi ka komentuar për vendimin e Presidentes së Kosovo, Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi dështoi përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në afatin kushtetues. Në një prononcim për Periskopin, Smakiqi theksoi se vendimi i presidentes është marrë pas dështimit të Kuvendit për të përmbushur detyrimin…
Lajme
Avokati Xhevdet Smakiqi ka komentuar për vendimin e Presidentes së Kosovo, Vjosa Osmani Sadriu, për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi dështoi përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në afatin kushtetues.
Në një prononcim për Periskopin, Smakiqi theksoi se vendimi i presidentes është marrë pas dështimit të Kuvendit për të përmbushur detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit brenda afatit të përcaktuar.
“Dekreti i Presidentes për shpërndarjen e një Kuvendi, fatkeqësisht të posa të konstituar e që dështoi ta përmbushte detyrimin kushtetues që ta zgjedhë Presidentin e Republikës së Kosovës në afatin kushtetues sipas nenit 86, par. 2, është i drejtë, i saktë dhe në mbrojtje të rendit juridik kushtetues.”, tha ai.
Ai tha se në këtë situatë çdo president që do të ishte në detyrë do të detyrohej të vepronte njësoj.
“S’ka asnjë dilemë se s’ka rëndësi emri kush e nxori dekretin; secili emër që do të ishte President sot, më 06.03.2026, në këtë dështim të Kuvendit që të përmbushë detyrimin nga neni 86, par. 2, do të detyrohej të nxirrte këtë dekret, siç veproi znj. Vjosa Osmani Sadriu, e cila duhet përgëzuar që i doli në mbrojtje rendit juridik kushtetues në këtë rast jetik.”, u shpreh Smakiqi.
Smakiqi theksoi gjithashtu se sipas tij nuk ka nevojë për interpretim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
“Asnjë interpretim, edhe pse mund të bëhet kërkesë nga partitë politike në Gjykatën Kushtetuese, nuk është as i nevojshëm për dekretin e znj. Vjosa Osmani, për faktin se neni 86, par. 2, është dispozitë decidive, eksplicite, koncize, e mbyllur dhe e kristaltë si detyrim i Kuvendit dhe detyrim i Presidentit.”, tha avokati.
Ai shtoi se nëse presidentja nuk do ta ushtronte këtë kompetencë, do të rrezikohej rendi kushtetues.
“Nëse znj. Vjosa Osmani Sadriu nuk do ta zbatonte kompetencën e saj sipas detyrimit nga neni 86, par. 2, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, atëherë do të bënte shkelje kushtetuese dhe partitë institucionaliste duhet të inicionin edhe kallëzim penal ndaj znj. Vjosa Osmani për mosushtrim të kompetencave nga neni 414 i KPRK-së, pasi që pasojat do të ishin sulm, puç apo grushtshtet mbi rendin juridik kushtetues dhe rrëshqitje në anarki.”, u shpreh ai.
Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të përgatiten për zgjedhje dhe të respektojnë rendin juridik kushtetues të vendit. “Prandaj partitë le të përgatiten për zgjedhje dhe mos të sfidohet më tutje rendi juridik kushtetues që e kemi me garanca të forta që asnjë parti apo individ të mos arrijë ta bëjë diktaturë e autokraci këtë Republikë të ndërtuar me gjak, sakrificë dhe me mbështetjen e aleatëve, në krye me SHBA-në.”, tha ai.
Ndryshur pas këtyre zhvillimeve në konferencë pritet të dalë kryeministri tashmë në detyrë Albin Kurti, I cili nuk mori pjesë në takimin e liderëve politik të thirrur nga Osmani për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve.
Tutje kreu i AAK’së Ramush Haradinaj bëri me dije pas takimit me presidenten se datat e mundshme për zgjedhje që janë diskutuar gjatë këtij takimi janë 5, 12 dhe 19 prill.