Lajmërohet avokati i Murselit pas vendimit për burgim të përjetshëm, ka një paralajmërim: Dënim mjaft i rëndë, do të shfrytëzohen mjetet e rregullta juridike
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot vendimin për burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarve, Naim Murseli dhe Granit Plava për vrasjen e Liridona Ademajt. Ndërsa për të akuzuarin tjetër Kushtrim Kokalla, gjykata mori vendim që ta dënojë me 30 vite burgim. Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatmire Dermaku, së bashku…
Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot vendimin për burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarve, Naim Murseli dhe Granit Plava për vrasjen e Liridona Ademajt.
Ndërsa për të akuzuarin tjetër Kushtrim Kokalla, gjykata mori vendim që ta dënojë me 30 vite burgim.
Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Fatmire Dermaku, së bashku me anëtarët Gent Beka dhe Alban Ajvazi.
Shpallja e aktgjykimit ka ardhur pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe fjalëve përfundimtare të palëve, ku Prokuroria kishte kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të gjithë të akuzuarit, duke pretenduar se vrasja është organizuar dhe dhe kryer në mënyrë të planifikuar..
Sipas aktakuzës, Murseli ngarkohet se ka organizuar vrasjen për motive personale, ndërsa Plava akuzohet për ekzekutimin e saj, me ndërmjetësimin e Kokallës.
Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar mungesën e provave direkte dhe duke kërkuar që vendimi të bazohet vetëm në prova konkrete. Të akuzuarit kanë mohuar përfshirjen në vrasje.
Gjatë fjalëve përfundimtare, familja e viktimës ka kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit.
E në seancat e kaluara Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, që fillimisht ishte munduara ta paraqiste si grabitje.
Në lidhje me këtë dënim, lajmi.net ka kontaktuar me avokatin e Murselit, Shemsedin Piraj. Ai tha se do të shfrytëzohen mjetet e rregullta juridike.
“Vendimi është ai që është komunikuar. Do të shfrytëzohen mjetet e rregullta juridike, ato do të shfrytëzohen. Një dënim mjaft i rëndë.”, tha ai.
Në pyetjen se a ka refuzuar Naim Murseli që të jetë pjesë e seancës ku u dha vendimi, ai u përgjigj kështu: “Në ditën e fjalëve përfundimtare ai ka thënë që s’do të vijë”.
Si dyshohet se ndodhi vrasja?
Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre.
Aktakuza e ngarkoi Murselin se kishte planifikuar vrasjen e saj, me qëllim që të përfitonte nga sigurimi i saj jetësor në Suedi, në vlerë prej rreth 260 mijë eurosh.
Kokalla akuzohej se e kishte njoftuar Murselin me Plavën, i cili akuzohet se ishte dorasi.
Plava akuzohej se kishte vrarë Ademajn me armë zjarri, duke e qëlluar në kokë, sipas ekspertit mjekoligjor, në një largësi prej 2 deri në 5 centimetra.
Sipas Prokurorisë, ai kishte kryer vrasjen në këmbim të 30 mijë eurove nga Murseli.
Mirëpo, gjatë gjyqit, Kokalla ka deklaruar se marrëveshja me Murselin, për ta marrë përgjegjësinë e vrasjes, ishte për 250 mijë euro, por që të mos përmendeshin shuma të mëdha ishin dakorduar që në Polici të përmendeshin vetëm 30 mijë euro.
Ndërkaq, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, pati deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se Murseli e kishte mbajtur për krahu bashkëshorten e tij, që të mos i shpëtonte plumbit.
“…Naimi, në mënyrë dinake, me dorën e tij të djathtë, e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit, pas çka, Naimi, me fëmijët, ka dalë nga vetura, dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë prokurorja në nisje të procesit gjyqësor, më 31 janar 2025.
Pistoletën, me të cilën ishte kryer vrasja, Murseli akuzohet se e kishte blerë nga Tom Dodaj për 280 euro, në ditën e ngjarjes tragjike.
Ky i fundit ka pranuar fajësinë në fillim të procesit gjyqësor, ndërsa në shkurt të 2025-tës u dënua me pesë vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Mirëpo, pas rreth një viti, Gjykata e Apelit ia uli dënimi Dodajt në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, duke përmendur si faktorë pranimin e fajësisë, kërkimfaljen ndaj familjes së viktimës, dhe faktin që “nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur”.
Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj./Lajmi.net/