Avokati Gjini paralajmëron kallëzim penal ndaj zyrtarëve të VV-së në Prizren, thotë se klientja e tij u largua nga puna për motive hakmarrjeje

Avokati Gent Gjini ka njoftuar se do të parashtrojë kallëzim penal në Prokurori ndaj zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në Prizren. Ky kallëzim penal sipas Gjinit, do të parashtrohet pasi klientja e tij, Blerta Xhemaj, është larguar nga puna për motive hakmarrjeje. Sipas avokatit Gjini, Xhemaj, e cila ka punuar për 12 vite si menaxhuese…

Lajme

11/02/2026 13:12

Avokati Gent Gjini ka njoftuar se do të parashtrojë kallëzim penal në Prokurori ndaj zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në Prizren.

Ky kallëzim penal sipas Gjinit, do të parashtrohet pasi klientja e tij, Blerta Xhemaj, është larguar nga puna për motive hakmarrjeje.

Sipas avokatit Gjini, Xhemaj, e cila ka punuar për 12 vite si menaxhuese e punëve në degën e VV-së në Prizren, është përjashtuar nga puna dhe i janë ndërruar çelësat e zyrës pasi kishte kërkuar që hetimet lidhur me manipulimin e votave të përfshijnë edhe politikanë të tjerë të dyshuar, e jo vetëm komisionerët.

Gjini pretendon se largimi i saj nga pozita ka ardhur si pasojë e qëndrimeve të saj publike dhe se ndaj saj po ushtrohen presione, në kohën kur ajo është nën hetim për rastin e manipulimit të votave.

“Do të ndjekim rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj dhe për të adresuar presionet dhe hakmarrjet që, sipas nesh, po u bëhen komisionerëve”, ka deklaruar avokati Gjini për lajmi.net.

Deri më tani, dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren nuk ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me këto pretendime. /Lajmi.net/