Autostrada Prishtinë – Dheu i Bardhë ende projekt në hije, Ministria e Infrastrukturës tregon çfarë po i vonon punimet

Lajme

14/05/2022 16:44

Autostrada Prishtinë - Gjilan, deri tek Dheu i Bardhë ka qenë një nga premtimet e shumë qeverive, e që po vazhdon të mbetet larg përfundimit.

Pavarësisht se vitet kanë kaluar, punimet në autostradën e shumëpërfolur janë tejet të pakta.

Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Infrastrukturës, nga ku është thënë se segmenti rrugor është i ndarë në 8 lote dhe se realizimi i punimeve deri në fund të vitit 2021 ishte nga 43 për qind.

“Ky segment rrugor është i ndarë ne 8 lote/kontrata. Varësisht nga loti ne fjalë realizimi i punimeve deri në fund të vitit 2021 është nga 43% deri në 80% ne lote të caktuara me një mesatare të gjithë projektit me rreth 60% të punëve të realizuara në vëllimin fizik.”, thuhet në përgjigjen MI-së.

E sipas kësaj ministrie, problemet të cilat janë hasur në realizimin e kësaj autostrade që kanë ndikuar në vonesa lidhen edhe me situatën pandemike në vend. Gjithshtu, ndërtimi i nënkalimit të ri dhe pengesat e banorëve në zhvillimin e punimeve në rrugën lokale në Zhegrovc kanë ndikuar negativisht.

“Problemet që janë hasë në realizimin e kësaj Autoudhë janë të natyrës: Situata me pandeminë, Probleme në shpronësim dhe mos pagesa e pronave të shpronësuara, problemet me projekt, kufizimet buxhetore, pengesa nga banorët të cilët kanë kërkesa për ndryshime në projekt, p.sh ndërtimi i nënkalimit të ri, mos lejimi nga banorët i punimit të rrugës lokale në Zhegovc etj.”, u theksua nga Ministria e Infrastrukturës.

E kohë të gjatë kishte marrë edhe shpronësimi i të gjitha pronave dhe shtëpive në kuadër të fshatrave të cilët janë në rajonin e Gjilanit.

Sipas MI-së, shpronësimi i pronave për segmentin Banullë-Bresalc, në kuadër të autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë ka përfunduar komplet, në bazë të kërkesave të Njësisë për Zbatimin e Projektit.

Përfundimi i këtij projekti mjaft të rëndësishëm nuk dihet ende. Madje sipas Ministrisë së Infrastrukturës dinamika e punimeve do të shkojë varësisht nga buxheti që ndahet për këtë projekt.

“Për vitin 2022 vetëm 5 milionë janë te ndara për të gjitha kontratat. “, u theksua nga MI.

Ndryshe, punimet në këtë autostradë kanë filluar katër vite më parë. Sipas banorëve të kësaj ane janë të rralla rastet kur takon punëtorët në vendpunishte. E asfaltim sa i përket kësaj autostradë është parë vetëm në Banullë të Lipjanit, aty ku edhe fillon kyçja e kësaj autostrade.

E punime me intenzitet tejet të ulët janë duke u realizuar edhe në fshatin Sllovi.

Ndërkohë, për përfundimin e segmentit 22 kilometërsh Banullë-Bresalc ishin ndarë mbi 80 milionë euro, por as pas tre vjetësh një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sidoqoftë, kjo autostradë ka një gjatësi 47.1 kilometra, e cila përbëhet prej shtatë segmenteve, e që po ashtu do të lidhë do të lidhë korridorin 6, 7 dhe 10.

Ndryshe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, pati deklaruar se autostrada Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë do të kushtojë 88 milionë euro.

Kjo autostradë parashihet që të mundësojë një lidhje sa më të shpejtë të Prishtinës, Anamoravës me Luginën e Preshevës.

Autostrada ka tri kyçje, duke filluar me atë të Banullës, atë në Zhegvc dhe e fundit në Bresalc. /Lajmi.net/