Autoritetet shqiptare deklarojnë se deti i Durrësit është i pastër

Institucionet shtetërore operatorët turistikë të bashkuar dhe pushuesit kanë reaguar njëzëri ndaj publikimeve të fundit në media, se uji i detit në plazhet e Durrësit është i ndotur.

Lajme

04/06/2016 22:53

“Në 40 pika të ndryshme bëhen analizat e ujit të detit, në katër prej tyre ka ndotje siç janë hidrofori i Porto Romanos, grykëderdhja e Ishmit, shëtitorja ‘Taulantia’, por në këto pika nuk bëhet plazh, sepse nuk janë vende të frekuentuara nga pushuesit”, deklaroi drejtori i Shëndetit publik parësor, Kristaq Huta, raporton BW.

Huta nënvizon se “situata është shumë e mirë në krahasim me vitet e shkuar pasi ka përfunduar pastrimi dhe plazhi është nën monitorim të Shëndetit Publik”.

“Në plazhin masiv të Durrësit, nuk ka derdhje të ujërave të zeza në det, dhe për këtë garanci është investimi madhor që po kryhet. Uji është i pastër është brenda normave e parametrave shëndetësorë”, ka shtuar ai.

Shoqata Shqiptare e Turizmit, ka reaguar, duke e konsideruar luftë konkurrence, prishjen e imazhit të turizmit në Durrës nga qarqe dashakeqëse. Operatorët turistikë të Durrësit janë liderë në vend për sa i përket rritjes së cilësisë e shërbimit ndaj pushuesve.

Edhe pushuesit që kanë mbërritur në Durrës shprehen se sezoni ka nisur i mbarë në Durrës. Një raport i bërë publik pak ditë më parë në media e konsideronte Durrësin plazh me ujëra të ndotur, por për industrinë e turizmit, ky është një lajm jo i vërtetë, e dashakeqës për të prishur imazhin e një qyteti të madh.