ATK paralajmëron qytetarët: Të ardhurat nga kriptovalutat janë të tatueshme – do të marrim masa për ata që s’e bëjnë

Administrata Tatimore e Kosovës tha se ua rikujton të gjithë personave fizikë jo afaristë, personave fizikë afaristë dhe personave juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet e të ardhurave nga kriptovalutat, “në mënyrë reale dhe në kohë”, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor. ATK paralajmëroi se në vazhdimësi do të…

Lajme

28/02/2025 15:42

Administrata Tatimore e Kosovës tha se ua rikujton të gjithë personave fizikë jo afaristë, personave fizikë afaristë dhe personave juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet e të ardhurave nga kriptovalutat, “në mënyrë reale dhe në kohë”, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.

ATK paralajmëroi se në vazhdimësi do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë tatimet.

Me fokus të veçantë, ATK thotë se do të përqendrohet në identifikimin dhe trajtimin e personave, të cilët realizojnë të ardhura nga kriptovalutat.

“Detyrimet tatimore për të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, varen nga ajo se çfarë statusi ka personi i cili ka realizuar të ardhurat, si:

-Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është Person fizik jo afarist apo Person fizik afarist, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 05/L-028 për Tatimin në të Ardhurat Personale;

-Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është Person juridik, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave”.

Deklarimi dhe pagesa e tatimit për të ardhurat e realizuara nga kriptovalutat, duhet të bëhet sipas normave dhe me formularët si në vijim:

“Nëse personi krijon humbje, atëherë për humbjet e tilla mbanë evidenca të veçanta, të cilat duhet të jenë në dispozicion të ATK-së sa herë që kërkohen”, tha ATK.

Për personat fizikë jo afaristë, personat fizikë afaristë dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë tatimet, ATK paralajmëroi se do të ndërmarrë masat sipas legjislacionit tatimor.

Administrata Tatimore e Kosovës u bën thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

“Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”.