As Kurti nuk e kursen Kokajn në tallje, ky i fundit ia merr seriozisht një deklaratë për yllin polar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë kohës sa ka debatuar lidhur me politikën e jashtme me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e ka përfshirë edhe deputetin e tij, Jahja Kokajn, për një debat për “yllin polar”.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2022/04/Screenshot_8-5.jpg)
Lajme
Deputeti Hoxhaj deklaroi se Kosova ka mundësi të ndryshimit të qasjes në politikë të jashtme, duke e përshkruar figurativisht si “hapje qielli”, duke kërkuar që diplomacia kosovare të orientohet drejt një “ylli polar”.
“Meqë ka ndodhur një zhvendosje e madhe ndërkombëtare, e cila është për Kosovën një kohë e mundshme e vetmisë, izolimit, por e cila mund të jetë për Kosovën një mundësi shumë e madhe. Ne e kemi ftuar kryeministrin sot për të na treguar se çka do të bëjë për këtë mundësinë e madhe, në këtë dritare të re që ofrohet. E di që shumica e jush jeni me ramazan, tek myslimanët kësaj i thonë me u hap qielli. Njëherë hapet. Ka mundësin që qielli është hapur dhe unë po pres prej kryeministrit të del dhe na tregojë se çka me bë. Krishterët thonë me u kryqëzu yjet, prandaj ju kisha ftuar të diskutojmë për këto tema. Pa busullë, pa yll polar s’ka politikë të jashtme”, deklaroi Hoxhaj.
Kurti, së këndejmi, lavdoi qeverisjen e tij, teksa për shprehjet figurative e ftoi Kokajn.
“Ne konsiderojmë që barazia arrihet pikërisht nëpërmjet përfaqësimit të dinjitetshëm dhe këtë gjë e kemi bërë. Orientimt tona gjeopolitike dhe vlerërore tanimë dihen dhe për këtë mund të përsëritemi, por s’është e nevojshme. Sa për atë “u hap qielli”, “u mbyll qielli”, “ylli polar”, unë nuk i di, po e ftoj profesor Jahja Kokën t’ju përgjigjet”, deklaroi Kurti.
Këtë deklaratë të shefit të tij e mori seriozisht Kokaj, i cili dha një shpjegim shkencor.
“Kur është fjala për hapjen e qiellit, fenomeni natyror është i bazuar në faktin në mes të natës paraqitet dritë e befasueshme sepse s’ekziston as dielli e as hëna, gjeneron një stuhi diellore magnetike bëhet një fenomen kuantik në molekulat e atmosferës dhe gjenerohet në ngjyra të bukura dhe këto quhen Aurora Boleris”, deklaroi Kokaj.
“Kurse Ylli Polar na shërben për orientim falë faktit se boshti i tokës është konstant, por pas 13 mijë vjetësh ndërron ai drejtim në vend të Yllit Polar ka qenë ylli Shaban kurse në të ardhmen do të jetë një yll tjetër i quajtur Vega pas 13 mijë vjetësh”, tha deputeti i VV-së më tej në seancë.