As Kurti e as Osmani: Gërvalla shkon në darkën e organizuar nga Borrelli në Bruksel

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz, do të marrë pjesë nesër në darkën joformale të organizuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, për liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Lajme

10/05/2022 18:09

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net zyrtarja për komunikim nga MPJ, Qëndresa Fazliu.

“Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla do të jetë e pranishme në darkën joformale nesër në Bruksel”, ka thënë Fazliu.

Edhe pse në organizime të tilla zakonisht marrin pjesë presidentët apo kryeministrat e vendeve të ftuara, kësaj radhe nga Kosova do të marrë pjesë zëvendëskryeministrja Gërvalla, duke marrë parasysh faktin se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e BE-së, Peter Stano, i cili ka konfirmuar lajmin se darka joformale do të shtrohet në Bruksel për liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, ka vazhduar me traditën e ftesës së liderëve nga Ballkani Perëndimor për një darkë joformale dy herë në vit, ku do të diskutohet për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat po përballet. Kjo përfshin edhe diskutimin për situatën në rajon, marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor, pritshmëritë për anëtarësim në BE dhe kontekstin më të gjerë gjeopolitik. Zakonisht pjesëmarrja është në nivelin e liderëve (Presidentëve) apo Kryeministrave. Darka e mëparshme joformale u zhvillua në shtator të vitit 2021 në Nju Jork në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa e para nën mandatin e Përfaqësuesit të Lartë Borrell ishte vitin e kaluar më 18 maj (2021). Darka tjetër joformale do të mbahet në Bruksel gjatë ditës së nesërme, e mërkurë, në mbrëmje”, ka thënë Stano.

Kujtojmë se në darkën e vitit të kaluar që u mbajt në Nju Jork, Kosova ishte përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani.

Pjesëmarrjen në darkën e nesërme joformale e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. /Lajmi.net/